Komisioni Evropian propozoi dje të martën krijimin e një sistemi të përbashkët evropian për kthimet e emigrantëve të paligjshëm me procedura më të shpejta, më të thjeshta dhe më efektive në të gjithë BE-në.
Korniza e re ligjore për kthimet, e kërkuar nga Këshilli Evropian në tetor 2024, është një element kyç për përfundimin e Paktit për Migracionin dhe Azilin që u miratua në maj të vitit 2024 dhe që do të hyjë në zbatim në mes të vitit 2026, dhe që përcakton një qasje të plotë për migracionin, si dhe përpunimin më të shpejtë dhe efektiv të aplikimeve për azil.
Normat e kthimit në të gjithë BE-në janë aktualisht vetëm 20%. «Vetëm një në pesë persona largohet nga BE-ja dhe kjo nuk është e pranueshme. Shoqëritë tona nuk do ta tolerojnë», theksoi Komisioneri për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Bruner, i cili e konsideroi propozimin legjislativ të Komisionit si «pikë kthimi». «Ne po vendosim shtëpinë tonë evropiane në rregull», siguroi M. Bruner duke shtuar: «Me sistemin e ri evropian të kthimeve, ne do të sigurohemi që ata që nuk kanë të drejtë qëndrimi në BE, me të vërtetë të kthehen. Kështu do të forcohet ndjeshëm besimi në sistemin tonë të përbashkët evropian për azilin dhe migracionin».
Për të hyrë në fuqi, propozimi i Komisionit do të duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe nga shtetet anëtare të BE-së. Komisioneri Bruner deklaroi se shpreson për miratimin e saj «sa më shpejt të jetë e mundur», edhe pse është një çështje jashtëzakonisht e ndjeshme, politikisht dhe ligjërisht, që ndan shtetet anëtare.
Sipas Komisionit, rregullat e reja do t’u japin shteteve anëtare mjetet e nevojshme në mënyrë që kthimet të bëhen më efektive, me respekt të plotë të drejtave themelore.
Rregullat e reja të përbashkëta përfshijnë:
– Një sistem evropian në formën e një rregulloreje që përfshin procedura të përbashkëta për lëshimin e vendimeve të kthimit dhe krijimin e një urdhri evropian për kthim që do të lëshohet nga shtetet anëtare. Sot ekzistojnë 27 sisteme të ndryshme që nënkuptojnë një fragmentim në nivel të Bashkimit, vë në dukje Komisioni.
Falë njohjes reciproke të vendimeve të kthimit, një shtet anëtar do të mund të njohë dhe ekzekutojë drejtpërdrejt një vendim të kthimit të lëshuar nga një shtet tjetër pa pasur nevojë të nisë një procedurë të re. Deri më 1 korrik 2027, një vit pas fillimit të zbatimit të paktit për migracionin dhe azilin, Komisioni do të rishikojë nëse shtetet anëtare kanë krijuar rregullime të përshtatshme për përpunimin efektiv të urdhrave evropianë për kthim dhe do të lëshojë një vendim ekzekutiv që e bën të detyrueshme njohjen dhe ekzekutimin e një vendimi të kthimit të lëshuar nga një shtet tjetër anëtar.
– Rregulla të qarta për kthimin me forcë dhe dhënien e stimujve për kthimin vullnetar: Kthimet me forcë do të jenë të detyrueshme kur një person që banon ilegalisht në BE nuk bashkëpunon, largohet në një shtet tjetër anëtar, nuk largohet nga BE-ja brenda afatit të caktuar për largim vullnetar ose përbën rrezik për sigurinë. Kjo qasje ofron stimuj për kthimin vullnetar brenda afateve të caktuara të largimit nga BE-ja.
– Detyrime më të rrepta për të kthyerit, të cilat kompensohen nga garanci të qarta: Detyrime të shprehura për të bashkëpunuar me autoritetet kombëtare gjatë gjithë procesit të kthimit. Këto masa plotësohen me pasoja të qarta në rast të mosbashkëpunimit, siç është reduktimi ose refuzimi i përfitimeve ose konfiskimi i dokumenteve të udhëtimit. Në të njëjtën kohë, do të forcohen stimujt për bashkëpunim, përfshirë mbështetjen për kthimin vullnetar.
– Garanci të forta gjatë gjithë procesit të kthimit: Të gjitha masat që lidhen me kthimet duhet të zbatohen me respekt të plotë të standardeve themelore dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Kjo sigurohet përmes procedurave të qarta, si e drejta për ankimin, mbështetja për individët e cenueshëm, garanci të forta për të miturit dhe familjet dhe respektimi i parimit të moskthimit.
– Rregulla më të rrepta për kufizimin e rasteve të abuzimit dhe trajtimin e arratisjes: Shtetet anëtare do të kenë rregulla të përmirësuara për identifikimin e të kthyerve, si mundësia për të kërkuar një garanci financiare, paraqitja e rregullt e raporteve ose detyrimi i të kthyerve për të qëndruar në një vend të caktuar nga autoritetet kombëtare. Rregullat e reja përcaktojnë kushte të qarta për paraburgim nëse ekziston një rrezik arratisjeje, si dhe zgjidhje alternative në vend të paraburgimit. Paraburgimi mund të zgjasë deri në 24 muaj, krahasuar me 18 muaj që është kufiri aktual. Përveç kësaj, efekti pezullues i vendimeve të kthimit nuk do të jetë më automatik, përveçse nëse ekzistojnë çështje të moskthimit.
– Rregulla specifike për individët që përbëjnë rrezik për sigurinë: Shtetet anëtare do të duhet të verifikojnë në kohë nëse një individ përbën rrezik për sigurinë. Sapo të identifikohen, këta individë do t’i nënshtrohen rregullave të rrepta, si kthimi i detyrueshëm, ndalimi më i gjatë për hyrje dhe hapësira të veçuara për paraburgim. Paraburgimi mund të zgjatet përtej afatit normal prej 24 muajsh me urdhër gjykate.
– Riintegrimi si pjesë e procesit të kthimit: Për të mbushur hendekun midis vendimit të kthimit dhe kthimit në një vend të tretë, rregullat e reja vendosin një procedurë të përbashkët për të siguruar që vendimi i kthimit ndiqet sistematikisht nga një kërkesë për riintegrim. Ato gjithashtu parashikojnë mundësinë e transferimit të të dhënave në vendet e treta me qëllim riintegrimin.
– Qendrat e kthimit: Shtetet anëtare kanë kërkuar zgjidhje inovative për menaxhimin e migracionit. Me këtë propozim krijohet mundësia ligjore për kthimin e individëve që jetojnë ilegalisht në BE dhe kanë marrë një vendim përfundimtar për kthim në një vend të tretë në bazë të një marrëveshjeje ose rregullimi që është lidhur në mënyrë dypalëshe ose në nivel të BE-së. Kjo marrëveshje ose rregullim mund të lidhet me një vend të tretë që respekton standardet ndërkombëtare dhe parimet për të drejtat e njeriut sipas ligjit ndërkombëtar, përfshirë parimin e moskthimit. Familjet me të mitur dhe të miturit e pashoqëruar janë të përjashtuar, ndërsa mënyra e zbatimit të këtyre marrëveshjeve ose rregullimeve duhet të monitorohet. (13/3/25)