Bruksel – Bashkimi Evropian do të pezullojë përgjigjen e tij ndaj tarifave doganore të Donald Trump për 90 ditë për të “dhënë një mundësi negociatave”, njoftoi të enjten presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.
“Ne e pranojmë vendimin e presidentit Trump”, për të pezulluar një pjesë të tarifave doganore, tha ajo në një mesazh në rrjetin X, pas kthesës spektakolare të banorit të Shtëpisë së Bardhë.
“Ne dëshirojmë të japim një mundësi negociatave”, siguroi kreu i ekzekutivit evropian, duke njoftuar kështu pezullimin e masave të miratuara nga 27 shtetet anëtare të mërkurën pasdite: taksa ndaj një sërë produktesh amerikane si motorët, soja ose pula.
Për të reaguar ndaj tarifave të tjera doganore (automobilave dhe 20% të përgjithshme) masat duhet të paraqiten në teori në fillim të javës së ardhshme.
“Nëse negociatat nuk janë të kënaqshme, kundërmasat tona do të hyjnë në fuqi”, paralajmëroi Ursula von der Leyen të enjten. Dhe shtoi se “të gjitha opsionet mbeten në tavolinë”. (10 prill 2025)