Bruksel – Komisioni Evropian të premten miratoi mbështetjen shtetërore me vlerë 52 milionë euro për investimin e kompanisë farmaceutike Lek, që bën pjesë në grupin zviceran Sandoz, në një qendër të teknologjisë së lartë për prodhimin e barnave biologjikisht të ngjashme në Lendavë. Qendra e Lek-ut tashmë po ndërtohet në skajin veriorlindor të vendit, investimi u vlerësua me 400 milionë dollarë në kohën e njoftimit të tij.
Qendra prodhuese në Lendavë, sipas njoftimeve të kompanisë sllovene, do të ofrojë 330 vende të reja pune, së bashku me qendrën për zhvillimin e barnave biologjikisht të ngjashme, që Sandoz ndërton në Lubjanë, do të mundësojnë sipas parashikimeve më shumë qasje për sistemet shëndetësore dhe pacientët në barnat biologjikisht të ngjashme.
Siç njoftuan të premten nga Brukseli, investimi i Lek-ut në Lendavë do të kontribuojë në qëllimet strategjike të BE-së si në krijimin e vendeve të reja të punës ashtu edhe në zhvillimin rajonal të qëndrueshëm, ndërkohë që do të ndihmojë në qëllimet e unionit për qasje më të madhe në barna. Në komision theksojnë se investimi do të ndikojë pozitivisht në punësim, zhvillim dhe konkurrencë në Pomurje, si zonë më pak e zhvilluar e Sllovenisë.
Kjo është investimi më i madh i drejtpërdrejtë i huaj aktualisht në vend dhe më i madhi në historinë e Lek-ut. Qendra e re do të fillojë funksionimin në fund të vitit 2026. (13 dhjetor)