Sarajevë, (Fena) – Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnje e Hercegovinë dhe ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, pasi mbledhjes së fundit të posaçme të trupit legjislativ të njërit prej dy entiteteve në Bosnjë e Hercegovinë, Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska (NSRS), në një deklaratë të përbashkët konfirmuan pa mëdyshje përparësinë e Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese të BiH-së.
NSRS në mbledhjen e mbajtur dy ditë më parë, solli një seri përfundimesh, ndër të cilat është edhe përfundimi që gjithë materiali legjislativ të shqyrtohet së pari në NSRS, dhe pastaj në mbledhjet e Asamblesë Parlamentare Shtetërore të Bosnjë e Hercegovinës, gjë që nuk është në përputhje me Marrëveshjen e Daytonit.
– Marrëveshja e paqes e Daytonit qartë përmend në Aneksin 4, Neni 3, “Entitetet dhe cilido prej njësive të tyre do t’i nënshtrohen plotësisht kësaj Kushtetute, e cila zëvendëson dispozitat e papajtueshme të legjislacionit të Bosnjë e Hercegovinës dhe kushtetutave dhe ligjeve të entiteteve, ashtu edhe vendimet e organeve të Bosnjë e Hercegovinës.” Të gjithë ligjet dhe përfundimet e marra nga organet e ulëta – përfshirë organet parlamentare të të dy entiteteve – duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të BiH-së – theksuan.
Argumentojnë se asnjë entitet nuk ka autorizim të kundërshtojë përparësinë e institucioneve apo ligjeve të BiH-së.
– Përfundimet që u miratuan mbrëmë nga NSRS përbëjnë një kërcënim serioz për rendin kushtetues të vendit dhe si të tilla janë anti-Dayton dhe drejtpërdrejt minojnë autoritetin e institucioneve të sundimit të ligjit në nivel shtetëror dhe rrugën e BiH-së drejt integrimeve euroatlantike – theksuan në deklaratë.
Theksuan se, në një moment kur hapja formale e negociatave për anëtarësimin në BE nuk ka qenë kurrë më afër, kthimi në bllokadat politike do të kishte pasoja negative për të gjithë qytetarët e BiH-së, nga të cilët shumica mbështesin anëtarësimin në BE.
– Ne, ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, së bashku me Delegacionin e Bashkimit Evropian në BiH dhe përfaqësuesin special të BE-së, riafirmojmë mbështetjen tonë për sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe karakterin multietnik të BiH-së, si dhe për përfaqësuesin e lartë i cili, në përputhje me autorizimet e tij sipas Marrëveshjes së Paqes së Daytonit/Aneks X, është interpretuesi përfundimtar i aspekteve civile të Marrëveshjes së Paqes së Daytonit – thanë ata.