BRUKSEL – Komisioni Evropian konstatoi në raportin në kuadër të mekanizmit për monitorimin e regjimeve pa viza se ka një përputhje të partnerëve nga Ballkani Perëndimor, duke përfshirë Serbinë, me kërkesat e BE-së për udhëtime pa viza dhe dha rekomandime për përmirësime të mëtejshme në këtë çështje.
Raporti i Komisionit tregon se vetëm në rastin e Gjeorgjisë ekziston mundësia e rrezikimit të regjimit pa viza. Komisioni Evropian njoftoi se më 6 dhjetor miratoi raportin e shtatë në kuadër të Mekanizmit për pezullimin e vizave, me të cilin mbikëqyren regjimet pa viza të BE-së me partnerët nga Ballkani Perëndimor dhe nga Partneriteti Lindor, si dhe me vendet e Karaibeve Lindore dhe Amerikës Latine. Komisioni vlerësoi se Serbia, ashtu si dhe Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, kanë ndërmarrë veprime për të iu përgjigjur disa rekomandimeve të dhëna në raportin e gjashtë në kuadër të Mekanizmit për pezullimin e vizave, por duhet të ndërmarrin veprime shtesë, veçanërisht për të harmonizuar politikat e tyre të vizave me politikat e vizave të BE-së. “Për fqinjësinë e BE-së, vazhdimi i procesit të liberalizimit të vizave mbetet një mjet i fuqishëm për të mbështetur reformat dhe për të forcuar bashkëpunimin me BE-në në fushën e migracionit, menaxhimit të kufijve dhe sigurisë”, ka bërë të ditur Komisioni. Në raport përmenden dy rekomandime që kanë të bëjnë me Serbinë, të cilat pritet të arrihet përparim i mëtejshëm në harmonizimin e politikës së vizave me listën e vendeve për të cilat kërkohet vizë për hyrjen në BE, si dhe kur është fjala për zbatimin e plotë të klauzolës për shtetasit e vendeve të treta nga marrëveshja për riatdhesim ndërmjet BE-së dhe Serbisë. Në raport theksohet se Serbia ka një regjim pa viza me 16 vende qytetarët e të cilave kanë nevojë për viza për të hyrë në BE, por konstatohet edhe se Serbia ka futur një regjim të plotë vizash për shtetasit e gjashtë vendeve që të harmonizojë më mirë politikën e saj me atë të BE-së.
Për shkak të rrezikut nga migracionet e parregullta në BE, Komisioni pret një përparim më të shpejtë të Serbisë në harmonizimin e politikës së vizave. Në fushën e bashkëpunimit për çështjen e migracionit, menaxhimit të kufirit dhe riatdhesimit, vërehet se Serbia ka vazhduar të angazhohet pozitivisht në zbatimin e planit të veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe se po zbaton një strategji të re për menaxhimin e integruar të kufirit për periudhën 2022-2027 dhe planin e veprimit për 2022-2024. Vihen në dukje edhe bashkëpunimi i Serbisë në fushën e migracionit dhe menaxhimit të kufijve me Frontexin dhe shtetet anëtare të BE-së, si dhe bashkëpunimi i saj për çështjet e sigurisë me agjenci të tilla si, ndër të tjera, Europol, Eurojust dhe Interpol. Sa i përket Ukrainës dhe Kosovës, Komisioni ka vlerësuar se kushtet për liberalizimin e vizave vazhdojnë të përmbushen, por është e nevojshme të merren masa për t’iu përgjigjur rekomandimeve të Komisionit.
Sidoqoftë, kur është fjala për Gjeorgjinë, thuhet se, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në vend, po merren në konsideratë mundësitë për aktivizimin e mundshëm të mekanizmit për pezullimin e vizave për kategori të caktuara njerëzish. Gjeorgjia njëkohësisht ftohet të ndërmarrë masa urgjente shtesë për t’iu përgjigjur rekomandimeve të Komisionit, veçanërisht në fushën e mbrojtjes së të drejtave themelore për të shmangur aktivizimin e këtij mekanizmi dhe të vazhdojë të përmbushë standardet për liberalizimin e vizave. Komisioni Evropian ka bërë të ditur se do të vazhdojë të monitorojë përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave dhe se rezultatet në këtë çështje do të përfshihen në paketën e saj vjetore për zgjerim dhe, ku është e rëndësishme, në negociatat për anëtarësimin në BE. Në raport thuhet se udhëtimi pa viza “lehtëson lëvizshmërinë dhe kontaktet ndërnjerëzore, nxit sektorin e udhëtimeve dhe turizmit dhe promovon shkëmbimin kulturor dhe akademik”, por vërehet se mund të përbëjë sfida të rëndësishme në lidhje me migracionet e parregullta dhe sigurinë. Komisioni ka bërë të ditur se do të vazhdojë të raportojë Parlamentin Evropian dhe Këshillin një herë në vit. (9 dhjetor)