“`html
SARAJEVO – Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Bosnjë dhe Hercegovinë Luigi Soreca bëri thirrje të premten politikanëve në atë vend që të bëhen seriozë dhe të shfrytëzojnë vitin 2025 për të arritur progresin e shumëpritur në rrugën drejt anëtarësimit në BE duke i paralajmëruar ata që të mos lejojnë që kjo të jetë një vit tjetër i mundësive të humbura.
Në një kolumnë të veçantë, Soreca kujtoi se muajt e parë të vitit 2024 ishin inkurajues pasi ai vend miratoi reforma të rëndësishme, gjë që çoi në dritën jeshile të Këshillit Evropian për hapjen e negociatave të pranimit, por menjëherë pas kësaj ndodhi ngërç dhe bllokime kështu që negociatat ende nuk janë në horizont.
Ai theksoi se, përveç se kanë tradhtuar premtimet e veta për të vazhduar me miratimin e ligjeve reformuese, autoritetet në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk qenë të afta të harmonizojnë asnjë plan reformash që do t’u mundësonte aktivizimin e një miliardë euro ndihmave financiare për atë vend në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
“Gjatë vitit 2024, pamë gjithashtu kërcënime të papranueshme ndaj rendit kushtetues të Bosnjës dhe Hercegovinës që bota demokratike i dënoi unison,” tha Soreca, i cili përveç ambasadorit ushtron edhe detyrën e përfaqësuesit të posaçëm të BE për Bosnjë dhe Hercegovinë.
Ai e quajti sjelljen e politikanëve boshnjako-hercegovinas zhgënjyese, duke i akuzuar ata se veprojnë kundër interesave të qytetarëve.
Duke aluduar në diskutimet që po bëhen në Bosnjë dhe Hercegovinë për atë nëse kërkohet ende një përfaqësues i lartë me autoritet ekzekutiv, të cilës sidomos u kundërshtuan politikanët nga Republika Sërpska, Soreca tha se mbikëqyrja e gjerë ndërkombëtare në Bosnjë dhe Hercegovinë kurrë nuk duhej të ishte permanente, megjithëse situata aktuale është e tillë që ajo është e nevojshme.
Kushtet për mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR), tha ai në mënyrë të qartë, nuk janë përmbushur, kështu që si vendi të bëjë hapa përpara në udhën evropiane, mund të pritet që “prioriteti t’i jepet zgjidhjeve vendore”.
Përgjegjësia për këtë, theksoi ai, është ekskluzivisht mbi politikanët vendas. (3 janar 2025.)
“`