Augsburg – Kryetari i Partisë Popullore Evropiane Manfred Weber kërkon që të pezullohen dënimet e mundshme për prodhuesit e makinave në lidhje me rregulloret e planifikuara më të rrepta për emetimet e CO2 nga flotat. «Kur dhjetëra mijëra vende pune janë në rrezik, nuk ka kohë për pagesa dënimesh», tha Weber për gazetën «Augsburger Allgemeine».
Shefi i grupit më të madh në Parlamentin Evropian dhe zv.kryetari i Unionit Kristian Social gjerman (CSU) kërkoi gjithashtu që të gjitha rregulloret e BE-së për industrinë e automobilave të shqyrtohen. «Ne kemi nevojë për një rishikim të përgjithshëm të të gjitha ligjeve dhe rregulloreve për industrinë e automobilave», tha Weber. «Ndryshe nuk do të mund të bëjmë këtë degë kaq të rëndësishme të industrisë të qëndrueshme për të ardhmen dhe të sigurojmë vendet e punës.»
Prodhuesit masivë si Volkswagen ose Renault kanë nevojë për një perspektivë të qartë, paralajmëroi politikani evropian. Mund të ndodhë që të shqyrtohen edhe disa standarde mjedisore, të cilat kalojnë cakun, shtoi ai.
BE: Emetimi i CO2 nga mjetet duhet të ulet, përndryshe kërcënohen dënime
BE-ja dëshiron të shtrëngojë gradualisht qëllimet e flotës për emetimin e dioksid karbonit (CO2) që dëmton klimën. Vlera aktuale prej mesatarisht 115,1 gram CO2 për kilometër dhe mjet pritet të ulet në 93,6 gram në vitin 2025 dhe në 49,5 gram në vitin 2030. Në rast se do të ketë tejkalime të CO2, prodhuesve u kërcënohen dënime.
Industria ka frikë nga ngarkesa shtesë prej miliarda eurosh në dritën e kërkesës së ulët për makinat elektrike. Kohët e fundit, kryetari i bordit mbikëqyrës të VW-së, Hans Dieter Pötsch, kishte kërkuar të lehtësoheshin qëllimet e flotës së CO2. Në anën tjetër, janë mbrojtësit e mjedisit.