Program i madh sportiv në shkolla
Festa olimpike, ngjarja më e madhe sportive e vitit 2022, mblodhi mijëra të rinj e të reja, në stadiumin “Air Albania” në kryeqytet, të cilët performuan me talentin dhe energjinë e tyre rinore.
Në stadium ishin 700 ekipe sportive të shkollave nga e gjithë Shqipëria.
Aktiviteti u organizua nga KOKSH në kuadrin e projektit “Ekipet sportive në shkolla” të financuar nga qeveria për nxitjen dhe masivizimin e sportit tek të rinjtë, me qëllim promovimin e kulturës sportive për një jetë aktive, të shëndetshme dhe bazuar në parimet olimpike.
Më pas parakaluan të gjitha ekipet pjesëmarrëse nga 61 bashkitë e vendit. Flamuri i bashkive mbahej nga një djalë dhe një vajzë që simbolizonte barazinë gjinore dhe tabela me ermin e bashkisë mbahej nga një vajzë e veshur me kostum popullor tradicional.
Më shumë se 10 000 vajza dhe djem, të cilët aktualisht ndjekin studimet në shkollat 9-vjeçare, gjimnaze dhe universitete do të përfitojnë direkt nga ky projekt.
Gjithashtu janë formuar rreth 700 ekipe basketbolli dhe volejbolli për të dyja gjinitë dhe nga muaji janar 2023 ky projekt do të shtrihet dhe në ekipet sportive në basketboll dhe volejboll të institucioneve të arsimit të lartë.
Çdo protagonist do të marrë falas të gjithë bazën e nevojshme materiale. Një proces që ka filluar në muajin nëntor dhe deri më tani, në të gjitha qarqet, janë pajisur me materiale sportive rreth 8 300 nxënës./ (10 dhjetor)
Kampionët e së ardhmes
Gëzimit të festës olimpike, iu bashkua edhe kryeministri Edi Rama, i cili inkurajoi të rinjtë të kthejnë sportin në stilin e tyre të jetesës, për një trup dhe mendje të shëndetshme.
“Sot fjala më e bukur që mund të thuhet është fjala Shqipëri”, tha ai.
Rama theksoi se në këtë lëvizje të madhe që Shqipëria sapo ka nisur, me siguri do të dalin edhe kampionët e ardhshëm që do të ngrenë lart flamurin e Shqipërisë.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi u shpreh se projekti “Ekipet sportive në shkolla” konsolidon të gjitha reformat e ndërmarra në vitet e fundit për sportin.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se vitin e ardhshëm të rinjtë do të kenë shumë aktivitete sportive duke qenë se Tirana ka marrë edhe vlerësimin si “Qyteti evropian i sportit 2023”./ (10 dhjetor)
Tirana “Qyteti evropian i sportit 2023”
Tirana është edhe zyrtarisht “Qyteti evropian i sportit” për vitin 2023. Titullin e mori kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një ceremoni të veçantë që u zhvillua më 7 dhjetor në selinë e Parlamentit Evropian në Bruksel.
Veliaj u shpreh krenar që sot Tirana është kryefjala e aktiviteteve më të madha sportive të vitit.
Ai shprehu bindjen se viti 2023, që do t’i kushtohet tërësisht sportit në kryeqytet, do të jetë një parapërgatitje e mirë për Shqipërinë në Lojërat Olimpike 2024 dhe ato Mesdhetare.
Andrey Kovatchev, anëtar i Parlamentit Evropian dhe zëvendëspresident i Partive të djathta Popullore Evropiane ka theksuar se “kjo është një mundësi e madhe për Tiranën për të rritur vizibilitetin e saj dhe për të investuar edhe më shumë tek infrastruktura sportive për të gjitha moshat”.
“Ky është mesazhi i madh i sportit, që të bashkojë dhe të integrojë. Çdo euro e investuar në sporte, është një euro e ruajtur për çdo trajtim mjekësor të mundshëm lidhur me problemet e shëndetit”, tha ai./ (7 dhjetor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.