Zgjedhjet e vitit 2025 kanë një rëndësi kyçe, pasi zhvillohen pak kohë pasi Shqipëria nisi negociatat për grup-kapitullin 1, i cili fokusohet te sundimi i ligjit dhe proceset demokratike.

Në këtë kuadër, BE-ja ka mbështetur krijimin e Grupit të OJF-ve për Monitorimin e Zgjedhjeve, duke promovuar zgjedhje gjithëpërfshirëse, transparente dhe të besueshme.

Sipas delegacionit të BE-së në Tiranë, kjo nismë është pjesë e përpjekjeve më të gjera për të forcuar institucionet demokratike dhe për të nxitur procese zgjedhore gjithëpërfshirëse, transparente dhe të besueshme në Shqipëri.

“Shoqëria civile është thelbësore për ndërtimin e besimit, duke monitoruar, duke nxitur dialogun dhe duke mobilizuar qytetarët, veçanërisht votuesit për herë të parë dhe grupet e margjinalizuara”, u shpreh ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato në këtë aktivitet.

“Është inkurajuese të shohësh mbi 200 aktivistë tashmë të angazhuar. Një shoqëri civile e fortë dhe aktive është jetike për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, për të siguruar që ky proces të jetë gjithëpërfshirës dhe që reformat të jenë të qëndrueshme”, theksoi Gonzato.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim organizatat e shoqërisë civile shqiptare që mbrojnë vlerat demokratike dhe të drejtat e njeriut”, tha ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato. (28 prill)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.