Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato mori pjesë sot në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit që mbështet zhvillimin e Parqeve Eko-Industriale në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Gonzato theksoi se “Plani i Rritjes do të dyfishojë ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor brenda një 10-vjeçari duke përmirësuar bashkëpunimin ekonomik, duke sjellë përmirësime në standardet ekonomike, por edhe rezistencën e duhur ekonomike dhe duke pasur konvergjencë me BE-në duke ecur përpara me reformat e BE-së dhe sigurisht duke rritur financimet”.
Ai theksoi se “në bazë të ritmit dhe thellësisë së reformave Shqipëria mund të përfitojë nga pothuajse 1 miliardë euro për të ecur përpara me rritjen ekonomike të vendit”.
”Kjo është një arritje vërtetë shumë e madhe”, theksoi ai.
Ambasadori nënvizoi se “objektiv i BE-së është që të stimulojë investimet dhe klimën e zhvillimit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë rajonin”.
Ai foli për thirrjen që i është bërë sektorit privat që të investojë në Ballkanin Perëndimor.
“Duam që të marrim edhe investimet e tyre dhe prandaj parqet eko-industriale do të jenë një element shumë i rëndësishëm”, tha Gonzato.
Ai u shpreh se BE është e gatshme që të ndihmojë edhe për sa i përket flukseve të kapiteleve.
“Këto parqe eko-industriale janë shumë të rëndësishme pasi mbështesin investimet, zhvillimin e ekonomisë, mbështesin bizneset si edhe kalimin në praktika më të mira dhe më miqësore ndaj mjedisit”, tha Gonzato.
Ceremonia u organizua nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), në bashkëpunim me Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, në partneritet me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), Blendi Gonxhja dhe nga menaxheri për Këshillimin për Shtetet dhe Ekonomitë, Javier Suarez.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi përfaqëson një hap kyç në zhvillimin e politikave dhe kuadrit rregullator të nevojshëm për të mundësuar transformimin e qëndrueshëm të zonave industriale në Shqipëri, në përputhje me standardet mjedisore të BE-së dhe Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor./ (22 maj)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.