BRUKSEL/SOFIA – Shtetet e Eurozonës përshëndetën përparimin e Bullgarisë drejt futjes së monedhës së përbashkët. Kjo thuhet në përfundimet e vendeve të Eurogrupit të miratuara në kuadër të mbledhjes së Këshillit Evropian në Bruksel. Presim vlerësimin e Komisionit Evropian (KE) dhe të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), thuhet në tekst.
Bullgaria kërkoi nga KE dhe BQE në shkurt përgatitjen e raporteve të jashtëzakonshme për gatishmërinë e vendit për pranimin e euros. Në Bruksel, kryeministri bullgar Rosen Zhelyazkov u shpreh para gazetarëve se pret që raportet të jenë gati në maj ose qershor.
Shpresoj që përpjekjet e shoqërisë bullgare në dekadat e fundit për të respektuar disiplinën fiskale, për buxhete të balancuara, do të japin rezultatin e pritur, tha ai në një takim me presidentin e BQE Kristin Lagarde dhe presidentin e Eurogrupit Pascal Donahoe.
Bullgaria është një nga vendet e rralla në BE që i plotëson pa kushte të gjitha kriteret nominale të konvergjencës, përfshirë edhe kriterin e stabilitetit të çmimeve, me të cilin kemi pasur probleme në vitet e fundit, tha në një konferencë në Sofje guvernatori i Bankës Popullore Bullgare (BNB) Dimitër Radev. Na mbetet një hap final. Jam i bindur se jemi në gjendje ta bëjmë atë me dinjitet dhe me vetëbesim, tha Radev.
Përparimi i Bullgarisë për t’u bashkuar me Eurozonën u vlerësua edhe nga presidentja e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) Odil Reno-Baso. Në një intervistë për BTA ajo tha se në vend ka një kuptim të fortë për nevojën që deficiti buxhetor të mbetet deri në 3 për qind. Ekonomia ende rritet mjaft fuqishëm në territorin pozitiv në krahasim me pjesën tjetër të BE-së, tha Reno-Baso dhe kujtoi parashikimet e institucionit për ritmin e rritjes së ekonomisë bullgare prej 2,4 për qind në vitin 2025 dhe 2,8 për qind në vitin 2026.
Pas një seance që zgjati 22 orë dje, Asambleja Kombëtare Bullgare miratoi buxhetin e shtetit për vitin 2025, në të cilin është parashikuar një deficit buxhetor prej 3 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto.
Në raportet e rregullta të vitit të kaluar KE dhe BQE vërejtën se Bullgaria atëherë nuk plotësonte vetëm kërkesën për stabilitetin e çmimeve. Zyra statistike e Bashkimit Evropian “Eurostat” prezantoi këtë javë të dhëna për shkurtin, sipas të cilave inflacioni në Bullgari tashmë përputhet me kërkesën për stabilitetin e çmimeve. (20-21.03.2025)