BUDAPESTË/BRUKSEL/SOFJE – Në një takim në Budapestë ndërmjet ministrave të brendshëm të Bullgarisë, Rumanisë, Austrisë dhe Hungarisë u përgatit një deklaratë e përbashkët lidhur me heqjen e ardhshme të kontrolleve në kufijtë tokësorë bullgarë dhe rumunë të Schengen-it.
Dokumenti u publikua në profilin zyrtar të Kryesisë Hungareze të BE-së në platformën sociale “Eks”. Ai parashikon të vazhdojë veprimet e përbashkëta për të luftuar emigracionin ilegal dhe të kryhen kontrolle të përbashkëta në kufijtë e brendshëm ndërmjet Hungarisë dhe Rumanisë, dhe ndërmjet Rumanisë dhe Bullgarisë, për një periudhë të paktën gjashtë muaj. Katër shtetet do të sigurojnë një kontingjent të përbashkët prej 100 policësh kufitarë (15 nga Austria, 25 nga Bullgaria, 20 nga Hungaria dhe 40 nga Rumania).
Rumania dhe Bullgaria mund të bëhen anëtare të plota të zonës Schengen nga janari 2025, tha ministri i brendshëm hungarez Shandor Pinter, cituar nga Reuters.
Hungaria njoftoi më parë se parashikohet që më 12 dhjetor Këshilli i BE-së për Drejtësi dhe Çështjet e Brendshme të votojë një propozim për heqjen e kontrolleve në kufijtë tokësorë, të cilat mbetën pas pranimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në Schengen në fund të dhjetorit të vitit të kaluar. Që nga kjo pranverë, kontrollet në kufijtë ajrorë dhe detarë të Schengen-it të Bullgarisë dhe Rumanisë u hoqën.
Përshëndes rezultatet pozitive të bisedimeve joformale në Budapestë, shkroi në rrjetin social “Eks” kryetarja e Komisionit Evropian (KE) Ursula von der Leyen. Vendi i Bullgarisë dhe Rumanisë është në Schengen. Heqja e kontrolleve në kufijtë tokësorë është pengesa e fundit. Faza tjetër është vendimi zyrtar i Këshillit të BE-së. Le të sjellë viti 2025 një Schengen më të fortë, shtoi ajo.
Kryetarja e Parlamentit Evropian (PE) Roberta Metzola gjithashtu përshëndeti dhe theksoi se eurodeputetët kanë kohë që bëjnë thirrje për anëtarësimin e plotë në Schengen të Bullgarisë dhe Rumanisë. Pres një vendim përfundimtar në ditët e ardhshme, shtoi Metzola. PE do të diskutojë javën e ardhshme çështjen në një sesion në Strasburg.
Dy forcat më të mëdha politike në Parlamentin Evropian – Partia Popullore Evropiane (EPP) dhe Socialistët dhe Demokratët (S&D) – shprehën kënaqësinë e tyre për vendimet e mara. Përshëndesim vendimin pozitiv të Austrisë për pranimin e plotë të Bullgarisë dhe Rumanisë në Schengen, shkroi EPP në rrjetin social “Eks”. EPP ka qenë një mbrojtës i fortë i kësaj qëllimi, arritja e të cilit do të rrisë sigurinë në Evropë dhe do të përmirësojë mbrojtjen e kufijve të jashtëm, thuhet në njoftim.
S&D vlerësojnë lajmet nga Budapestë si “lajme të shkëlqyera”. Pas vitesh pritjeje të padrejtë, Bullgaria dhe Rumania më në fund do të jenë plotësisht në Schengen, Austria heq veton e vendosur. Mendimi ynë ka qenë gjithmonë i qartë – nuk mund të ketë qytetarë “të klasit të dytë” në BE. Bullgarët dhe rumunët meritojnë të njëjtën të drejtë të lëvizjes së lirë në BE, si çdo qytetar tjetër evropian. Presim që Këshilli i BE-së ta konfirmojë këtë vendim muajin e ardhshëm, shtojnë socialistët në PE.
Kryeministri i përkohshëm bullgar Dimitar Glavçev theksoi se është njohur progresi i Bullgarisë dhe Rumanisë në luftën kundër emigracionit të paligjshëm. Duhet të theksojmë se përpjekjet nuk janë vetëm të Bullgarisë dhe Rumanisë, por të gjithë Bashkimit Evropian, tha Glavçev. (22 nëntor)