Brukseli – Askush nuk mund t’i japë garanci Maqedonisë së Veriut nëse tani e ndryshon Kushtetutën, se nuk do të ketë më pengesa në rrugën evropiane, tha komisionerja evropiane për zgjerim Marta Kos në një intervistë për Redaksinë Evropiane të Lajmeve (ENR) në përgjigje të një pyetjeje nga MIA nëse BE dhe vendet anëtare mund të garantojnë se pas zbatimit të ndryshimeve kushtetuese nuk do të ketë bllokada të reja për shkak të çështjeve bilaterale të lidhura me identitetin, gjuhën ose historinë.
– E kuptojmë se kjo nuk është një çështje e lehtë. Ndryshimi i Kushtetutës. E kuptojmë dhe është shumë njerëzore dhe e kuptueshme që vendi juaj dëshiron të ketë garanci për gjithçka që ka kaluar. Nuk mund të ketë garanci, por ajo që pres nga të gjitha vendet anëtare kur ka çështje bilaterale, është që bisedimet të zhvillohen me vullnet të mirë dhe me vizion për të arritur një kompromis, tha Kos.
Ajo theksoi se kjo nuk do të thotë se KE nuk po punon për ta ndihmuar vendin që të fillojë negociatat për klasterët, duke theksuar se personalisht është angazhuar rreth çështjes bilaterale me Bullgarinë dhe se sot po shkon në Sofje për takime me të gjithë politikanët bullgarë, dhe më pas do të kontaktojë edhe me politikanët në vendin e saj.
– Më mirë do të ishte që çështjet bilaterale të mos përzihen në procesin e anëtarësimit. Kjo nuk do të thotë se çështjet bilaterale nuk janë të rëndësishme. E dini, mund ta kuptoj se Hungaria po lufton për pakicën e saj (në Ukrainë). Mund ta kuptoj se edhe Bullgaria po bën të njëjtën gjë, por është keq kur kjo vërtet përzihet me procesin e anëtarësimit, tha Kos.
Ajo shprehu shpresën se së shpejti do të gjendet një zgjidhje për deblokimin e procesit të anëtarësimit të vendit dhe se pasi të ndodhë kjo, do të mund të fillojnë negociatat për klasterët pa asnjë kusht të ri.
– Prandaj ne porosisim, ju lutemi bëni reformat dhe jini të gatshëm për të hapur klasterin e parë, tha komisionerja evropiane për zgjerim.
Kos theksoi se në kushtet aktuale e kupton plotësisht frustrimin e njerëzve në vendin e saj.
– E dini, kur u shpërbë Jugosllavia, Maqedonia, në atë kohë, ishte republika e dytë më e zhvilluar në ish-Jugosllavi. Për krahasim, le të themi nëse Ukraina duhet të presë për të filluar negociatat aq sa pret vendi juaj, ne do të mund t’i fillojmë ato në vitin 2045, shtoi Kos. (16 prill 2025)