Shkupi – Në këtë moment të një konteksti të ri gjeopolitik, anëtarësimi në Bashkimin Evropian është opsioni më i mirë, si për Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe për rajonin, theksoi përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe për çështje rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak në fjalimin e tij në Konferencën e Shtatë plenare të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian në Maqedoninë e Veriut (NKEU-MK), që u mbajt në Shkup.
– Gjeopolitika krijoi mundësi të reja për zgjerimin e BE-së, por këto dritare nuk qëndrojnë të hapura përherë, këshilla ime për ju është të mos i përsërisni gabimet e së kaluarës, këshilla ime është të shfrytëzoni momentin dhe të vendosni interesin e përbashkët para interesave partiake, tha Lajçak.
Ai kujtoi fjalët e komisioneres së re evropiane për zgjerim Marta Kos, e cila theksoi se negociatat kërkojnë përpjekje intensive nga gjithë shoqëria dhe kjo duhet të jetë projekt kombëtar në të cilin duhet të jenë të gjithë të përfshirë.
Siç tha Lajçak, nëse pyesni Çet-GPT për BE-në, do t’ju thotë se ajo është një Union politik dhe ekonomik, por është mbi të gjitha Union i njerëzve të bashkuar në ndryshmërinë e tyre. Ata njerëz, sipas tij, duhet të besojnë në Union, sepse ka shumë trende shqetësuese, si luftërat hibride, populizmi dhe ulja e besimit, që vënë në rrezik projektin evropian.
– Nuk them se BE është e përkryer, por do të doja të them disa fjalë për rrugën evropiane të Maqedonisë. Kur e filluat këtë proces mendova se do të përparonit shumë, por për fat të keq nuk jeni as afër dhe e ndaj frustrimin tuaj. Gjithçka që është përmendur duhet të plotësohet. Është fakt që parametrat janë vendosur dhe nuk do të them asgjë të re, mos e humbni këtë mundësi dhe mos rrezikoni të mbeteni të ndodhur. Gjithashtu edhe në lidhje me ngjarjet e fundit gjeostrategjike, zgjerimi është me të vërtetë prioritet dhe për këtë Komision Evropian, si dhe presidenti i Këshillit Evropian është angazhuar me rajonin në ditët e fundit, tha Lajçak. (11 dhjetor)