Në vizitën e saj të parë zyrtare në Tiranë, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, njëherësh zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas mori pjesë në lançimin e sesionit të parë të Dialogut për Sigurinë dhe Mbrojtjen, i cili vjen në kuadër të Partneritetit për Siguri dhe Mbrojtje, të nënshkruar më parë, në dhjetor 2024, midis Shqipërisë dhe BE-së.

Në hapje të sesionit, ministri shqiptar Hasani nënvizoi se ky dokument partneriteti ka hapur tashmë rrugën për një bashkëpunim dhe dialog më të ngushtë mbi çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes mes Shqipërisë dhe BE-së.

“Sot po kalojmë nga vizioni drejt veprimeve konkrete. Për një vend si Shqipëria që është plotësisht e linjëzuar dhe besnike me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, ky dokument është një shprehje e angazhimit tonë të përbashkët për të punuar edhe më ngushtë së bashku në përballimin e sfidave të ndërlikuara të kohës që po jetojmë. Po ashtu, ai pasqyron qartë progresin e Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit në BE dhe rolin në zhvillim që po marrim në arkitekturën kolektive të sigurisë në Evropë”, u shpreh ministri Hasani.

Ndër të tjera, Hasani theksoi se Shqipëria mbështet çdo iniciativë që forcon aftësitë e Evropës për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe përballuar sfidat globale, gjithmonë në koordinim të ngushtë me partnerët tanë transatlantikë.

Dialogu për Sigurinë dhe Mbrojtjen është i pari në radhën e seancave të ardhshme që do të përcaktojnë se si Shqipëria dhe BE-ja punojnë së bashku për të trajtuar sfidat e kohës, sfida që kapërcejnë kufijtë dhe kërkojnë zgjidhje kolektive.

Partneriteti me Bashkimin Europian për sigurinë dhe mbrojtjen përfshin ndër të tjera edhe angazhimin e qeverisë shqiptare kundër kërcënimeve hibride dhe manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja

Më herët, kryediplomatja evropiane, Kaja Kallas zhvilloi takim dypalësh me ministrin shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani. (9 prill)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.