BRUKSEL – Ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së të premten mbrëma miratuan mbylljen e tre kapitujve negociues me Malin e Zi, mësohet nga burimet diplomatike, ndërsa kapitulli i katërt për të cilin vendi ishte i gatshëm nuk do të mbyllet për shkak të kundërshtimit të Kroacisë.
Konferenca ndërqeveritare e pranimit në të cilën Mali i Zi do të mbyllë këta tre kapituj – E drejta e pronësisë intelektuale, Shoqëria informatike dhe media dhe Politika e ndërmarrjeve dhe industrisë – do të mbahet të hënën, më 16 dhjetor.
Mali i Zi ishte teknikisht i përgatitur për mbylljen e katër kapitujve, por Kroacia ishte kundër mbylljes së kapitullit Politika e jashtme, e sigurisë dhe mbrojtjes.
Kroacia i dërgoi Malit të Zi muajin e kaluar një non-paper (dokument diplomatik joformal) me të cilin kërkoi zgjidhjen e disa çështjeve të hapura që dëmtojnë marrëdhëniet e ndërsjella mes dy shteteve.
Në atë dokument, sipas burimeve diplomatike, përmendet se dy shtetet duhet të zgjidhin çështjet e pronësisë mbi anijen shkollore “Jadran”, ndarjen e ndërsjellë, ndjekjen e krimeve të luftës, gjetjen e personave të zhdukur dhe çështjen e emrit të pishinës së qytetit në Kotor i cili është emëruar pas ish-polosvistit Zoran Gopcevic, për të cilin Kroacia pretendon se ishte roje në kampin “Morinj”.
Metodologjia e re e negociatave të pranimit, e miratuar në fillim të vitit 2020, parashikon që në vend të kapitujve individualë të hapen më tepër prej tyre që janë të lidhura në gjashtë klastera, përkatësisht gjashtë njësi tematike, ndërsa për mbylljen e kapitujve ata ende mbyllen individualisht.
Presidenca hungareze po shtyn fuqishëm që edhe me Serbinë të hapet klasteri 3, për të cilin ky vend sipas vlerësimit të Komisionit është teknikisht i përgatitur, por ende nuk ka konsensus mes shteteve anëtare.
Serbia të premten nuk ishte në rendin e ditës të Komisionit të përfaqësuesve të përhershëm sepse tetë shtete ende kundërshtojnë hapjen e atij klasteri. Ato janë Bullgaria, Kroacia, Finlanda, Suedia, Estonia, Holanda, Letonia dhe Lituania.
Ambasadorët kanë arritur një marrëveshje për hapjen e një klasteri me Shqipërinë, klasterin 6, i cili do të hapet të martën më 17 dhjetor.
Klasteri 6 përfshin dy kapituj: Marrëdhëniet e jashtme dhe Politika e jashtme, e sigurisë dhe mbrojtjes. (13 dhjetor 2024.)