Shtatë dekada pas vënies së parë në skenë, opereta “Agimi” u rikthye në teatrin “Andon Zako Çajupi”, si pjesë e MIK Fest, e mbështetur nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Me regjinë e sopranos së njohur shqiptare me famë ndërkombëtare, Inva Mula, kjo vepër e luajtur për herë të parë në vitin 1954 përçoi edhe njëherë dashurinë për jetën dhe për vendin.
“Jemi krenarë që këtë vit në MIK Fest mbështesim vlerat që shkojnë krah për krah me artin, kulturën dhe traditën e bukur shqiptare”, u shpreh në një postim online, Delegacioni i BE në Shqipëri.
E veçanta e edicionit të këtij viti ishte bashkëpunimi i MIK Festival me orkestrën e Forcave të Armatosura, koncert i cili u mirëprit nga qytetarët korçarë por edhe vizitorët e shumtë, një pjesë e të cilëve gjendeshin aty enkas për MIK Festival.
Për organizatoren, Inva Mula, ky edicion ishte më i bukuri dhe më i veçanti.
Lidhur me operetën e sjellë pas 70 vjetësh, Mula është shprehur se ajo ishte një vepër e cila e meritonte t’i jepej frymë e dritë, pasi ajo përmban motive të pastra shqiptare dhe është guri i parë i themelit të artit skenik vokal shqiptar.
Përveç shfaqjes në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi”, MIK Festival ka meritat edhe të dixhitalizimit të veprës, duke mundësuar qëndrimin e saj në çdo bibliotekë, për t’i mbetur historisë së muzikës.
Aktiviteti i përmbyllës i edicionit 2024, u zhvillua në oborrin e kishës së Shën Kollit në Voskopojë, me një program të thjeshtë por njëkohësisht shpirtëror, me Ave Maria-t nga Schubert dhe Bach, me akustikë natyrale.
Mik Festival i ideuar dhe i drejtuar nga sopranoja shqiptare me famë botërore Inva Mula është përqendruar në Korçë e rrethinat e saj, pasi dhe idea për t’a realizuar, sopranos Mula, i ka lindur pikërisht aty, në këtë qytet që siç thotë ajo, ka stofin e artit të madh.
Mik Festival është ndër të vetmet evente artistike në Shqipëri që ofrohet pa pagesë për të gjithë artdashësit./ (17 korrik)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.