Brukseli – Qeveria sllovene që nga publikimi i raportit vjetor të Komisionit Evropian për sundimin e ligjit në korrik “ka bërë hapa të konsiderueshëm” në këtë fushë, tha sekretari i shtetit në Ministrinë e Jashtme sllovene Marko Štucin para diskutimit të ministrave të BE-së për çështjet evropiane mbi sundimin e ligjit në Slloveni.
Në fushën e lirisë së medias, qeveria ka miratuar propozimin për një ligj të ri për mediat, dhe me vitin e ri është rritur edhe kontributi për RTV, kujtoi ai. Në fushën e pavarësisë së gjyqësorit, në vitin e kaluar kuvendi ka miratuar një amendament të ligjit mbi hetimin parlamentar. Në qeveri gjithashtu u miratua në mes të janarit një strategji e re antikorrupsion, e cila tani duhet të miratohet edhe nga kuvendi, tha Štucin.
Komisioneri evropian për sundimin e ligjit Michael McGrath në përgjigje të një pyetje nga STA, nëse projektligji i ri për mediat është në përputhje me rekomandimet e vitit të kaluar të komisionit dhe aktin evropian për lirinë e medias, shpjegoi se ata do ta vlerësojnë këtë brenda raportit të këtij viti për sundimin e ligjit.
“Liria e medias, pluralizmi mediatik dhe pavarësia e medias janë një pjesë shumë e rëndësishme e sundimit të ligjit në çdo shtet anëtar. Siç e dini, është gjithashtu një nga katër shtyllat e raportit për sundimin e ligjit,” tha ai në një konferencë për shtyp pas mbledhjes.
Ministrat për çështje të BE-së diskutuan për Slloveninë në kuadër të dialogut vjetor mbi sundimin e ligjit në shtetet anëtare. Përveç Sllovenisë, e cila u trajtua për herë të parë në dhjetor 2022, në rend të ditës ishin gjithashtu Hungaria, Rumania dhe Portugalia. (28 janar)