Shkupi – Përparimi i shtetit në procesin e integrimit evropian, hapat e ardhshëm në procesin e pranimit, si dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit me Parlamentin Evropian, ishin tema kryesore të takimit të ministrit të punëve të jashtme dhe tregtisë së jashtme Timço Mucunsky me raportuesin e përhershëm të Komitetit për Punë të Jashtme të PE për Maqedoninë e Veriut, eurodeputetin austriak Tomas Vajt.
– Theksova përkushtimin e fortë të Qeverisë për përparimin në rrugën evropiane përmes zbatimit të një procesi të qëndrueshëm reformash në fushat kyçe, forcimin e kapaciteteve ekonomike dhe përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve. Përveç kësaj, u përqendrova tek marrëdhëniet e mira fqinjësore, duke theksuar përkushtimin tonë për përmirësimin e vazhdueshëm të tyre në bazë të parimeve të respektit reciprok dhe ndërtimit të besimit, shkroi Mucunsky në Facebook.
Ministri Mucunsky shprehu mirënjohjen për punën e deritanishme të Vajt dhe bashkëpunimin e hapur në drejtim të promovimit të procesit eurointegrues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
– Të dy bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e mbajtjes së dialogut konstruktiv me Parlamentin Evropian në të gjitha nivelet, si dhe nevojën për thellimin e bashkëpunimit, me qëllim përparimin e interesave të përbashkëta dhe sigurimin e mbështetjes së vazhdueshme për perspektivën evropiane të vendit, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme. (26 shkurt)