Brukseli – Perspektiva evropiane e vendit dhe situatat në rajonin e Ballkanit Perëndimor ishin temat kryesore të takimit në Bruksel të ministrit për çështje evropiane Orhan Murtezani me sekretarin e përgjithshëm të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Stefano Sanino.
Në takim, me të cilin Murtezani përfundoi vizitën e punës në Bruksel, ai ngriti disa çështje kyçe me rëndësi thelbësore për dosjen evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe për forcimin e përputhshmërisë së saj me standardet dhe politikat e BE-së.
Gjatë bisedimeve u theksua rëndësia e shfrytëzimit të momentit të rinovuar për dinamizimin e procesit të zgjerimit të BE-së në kontekstin gjeopolitik aktual, si projekt që do të kontribuojë për forcimin e stabilitetit dhe prosperitetit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Murtezani shprehu edhe mirënjohje për mbështetjen financiare nga Fondi Evropian i Paqes (EPF) për vendin në vlerë prej 13 milionë euro, që do të ndihmojnë për modernizimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse dhe për kontribut më të madh në iniciativat e sigurisë të BE-së. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e nënshkrimit të ardhshëm të partneritetit midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, me të cilin vendi do të jetë një nga shtetet e para që do të nënshkruajë një dokument të tillë me Unionin.
Sanino, nga ana e tij, përshëndeti përputhshmërinë e plotë të Maqedonisë së Veriut me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, gjë që konfirmon orientimin strategjik evropian të vendit dhe respektimin e parimeve dhe vlerave themelore të politikës së jashtme të Unionit.
Gjatë vizitës dy-ditore të punës në Bruksel, Murtezani pati takime edhe me Komisionerin për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Oliver Varhelyi, me Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtoratit për Politikë Fqinjësie dhe Negociatat e Zgjerimit pranë Komisionit Evropian (DG NEAR), Gert Jan Kopman, me drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në DG NEAR, Valentina Superti dhe me Shefen e Departamentit për Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut pranë DG NEAR, Sigrid Brettel, me të cilët bisedoi për procesin aktual të integrimit evropian të vendit, hapat që pritet të ndërmerren për përparimin e mëtejshëm, si dhe për zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor të Komisionit Evropian dhe agjendën e reformave të lidhura me të. (6 shtator)