Një muze për traditën dhe artin hebre
Muzeu “Besa” do të jetë një prej ndërtimeve bashkëkohore që do t’i shtohet në të ardhmen arkitekturës së kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës, i cili i hap udhë krijimit të një destinacioni të historisë së lavdishme të shpëtimit të hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe traditës, kulturës dhe artit hebre.
Godina ku do të ndërtohet muzeu “Besa” gjendet pranë mureve të Kalasë së Tiranës. Ajo do të kthehet në një hapësirë ku vizitorët do të mësojnë mbi besën dhe dimensionin evropian të Shqipërisë.
Për këtë qëllim, më 17 shkurt u shpall konkursi i hapur ndërkombëtar për projekt-ide, ku do të marrin pjesë ekipe ndërkombëtare dhe kombëtare projektuesish, arkitektë, restauratorë, peizazhistë, kuratorë e tjerë.
Konkursi do të zhvillohet në dy faza. Në fazën e parë të aplikimit, kandidatët do të paraqesin përbërjen e ekipeve, kualifikimet, metodologjinë e punës dhe vizionin për sitin, duke përfshirë një koncept paraprak. Në fund të kësaj faze, juria do të përzgjedhë pesë konceptet më të mira, që do të mund të vazhdojnë punën për fazën e dytë.
Në fazën e dytë, juria do të shqyrtojë propozimet e pesë ekipeve të përzgjedhura dhe do të zgjedhë propozimin fitues.
Juria e konkursit do të përbëhet nga shtatë anëtarë, ekspertë vendas dhe të huaj, me përvojë në fushën e arkitekturës, muzealizimit, kurimit të ekspozitave e tjerë./ (17 shkurt)
Shpëtimi i hebrenjve, faqe e lavdishme e historisë së shqiptarëve
Kryeministri Edi Rama përshëndeti çeljen e këtij konkursi duke e vlerësuar, veç të tjerave, si një tjetër moment shumë të rëndësishëm për historinë, zhvillimin urbanistik dhe për aktitekturën e Tiranës.
Ai e cilësoi muzeun “Besa”, një projekt që i hap udhë krijimit të një destinacioni të historisë së lavdishme të shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, si edhe të historisë, traditës, kulturës dhe artit hebre.
Rama theksoi se “Shqipëria është i vetmi vend në Europë që kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore se sa përpara saj. Është një vend, siç tregon i gjithë dokumentacioni historik, ku banorët nuk dorëzuan asnjë hebre tek nazistët”.
Sipas tij, historitë e shpëtimit të hebrenjve nga familje të zakonshme myslimane, të krishtera dhe kleri katolik janë një arkiv i tërë skenarësh për filma që do rrinin me shumë dinjitet krah për krah filmit “Schindler’s List” dhe kryeveprave të tjera të kinematografisë të bazuara në një historitë e vërteta.
Shqipëria, u shpreh Rama, falë kësaj historie të shkruar nga njerëzit e saj është pagëzuar me titullin e drejtë mes vendeve, The Righteous Among the Nations.
Kryeministri solli në vëmendje se nuk është kjo vepra e parë, por e dyta pasi më parë me Fondin Shqiptar Amerikan ka nisur puna për “Muzeun e Hebrenjve” në Vlorë, si zona me përqendrimin më të madh të komunitet hebre./ (17 shkurt)
Muzeu si qendër kujtese dhe dialogu
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri me dije se pranë Kalasë së Tiranës do të krijohet një hapësirë dialogu, ku jo vetëm të huajt, por edhe fëmijët e kryeqytetit të mësojnë për besën.
Ajo u drejtoi një thirrje të gjithë atyre arkitektëve që duan të vendosin profesionalizmin e tyre në konceptin e besës, duke lënë një landmark të ri në qytetin e Tiranës.
Sipas saj, ky muze do të jetë një qendër sa kujtese aq edhe dialogu për të përçuar në breza një nga vlerat më të çmuara të shqiptarëve, që kulmon me mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës II Botërore.
Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se “ky muze do të shërbejë për të na kujtuar ditët tona të lavdishme”.
Ai tha se ky projekt është revolucioni i vërtetë që do të lërë gjurmë në qytet.
Kryebashkiaku theksoi se Sarajet e Toptanasve do të kthehen në Muzeun Etnografik të Tiranës, ndërsa Shtëpinë e Libohovitëve në muzeun “Besa”. (17 shkurt)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.