Brukseli (ANSA) – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte ka konfirmuar se “trupat verikoreane janë dërguar në Rusi dhe se njësi ushtarake verikoreane janë vendosur në rajonin e Kurskut”. Për kreun e Aleancës Atlantike kjo përbën një “eskalim të rëndësishëm të përfshirjes së Republikës Popullore Demokratike të Koresë në luftën e paligjshme të Rusisë, shkelje të radhës së rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe një zgjerim të rrezikshëm të luftës ruse: duhet të ndalojë menjëherë”.
Vendosja e trupave verikoreane “është gjithashtu një sinjal i dëshpërimit në rritje të Putinit”, ka vërejtur ish-kryeministri holandez, duke shtuar se “mbi 600,000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur në luftë” dhe se Putin “nuk është në gjendje të mbështesë sulmin e tij kundër Ukrainës pa mbështetjen e jashtme. Kjo sepse ukrainasit po kundërveprojnë me guxim, qëndresë dhe zgjuarsi”.
“Përforcimi i bashkëpunimit ushtarak midis Rusisë dhe Koresë së Veriut është një kërcënim për sigurinë si të Indo-Paqësorit ashtu edhe të Euro-Atlantikut,” ka shpjeguar Rutte, duke theksuar se kjo minon “paqen në gadishullin korean” dhe ushqen “luftën ruse kundër Ukrainës”. Një delegacion i Koresë së Jugut ka informuar Këshillin e Atlantikut të Veriut dhe partnerët e tjerë në Indo-Paqësor – Australi, Japoni dhe Zelandën e Re – mbi rritjen e përfshirjes së Koresë së Veriut në luftën ruse kundër Ukrainës (28 tetor).