Nënkryetarja e Komisionit Evropian Teresa Ribera njoftoi të enjten se pasi të njihet me detajet lidhur me vendosjen nga SHBA e doganave mbi makinat e huaja, KE “do të reagojë në mënyrë të përshtatshme”. Do të duhet të përqendrohemi në interesin tonë si evropianë – shtoi ajo.
Të mërkurën, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump njoftoi se më 2 prill do të vendosë një tarifë prej 25 për qind në të gjitha makinat e pasagjerëve dhe kamionët e lehtë të importuar nga jashtë. Tarifa e tanishme është 2.5 për qind. Ndër vendet anëtare të BE-së, eksportuesit më të mëdhenj të makinave në SHBA janë Gjermania, dhe pas saj Sllovakia, Italia dhe Suedia. Sipas zyrës gjermane të statistikave Destatis, në vitin 2024, Gjermania eksportoi 3.4 milion makina të reja me vlerë 135 miliardë euro, nga të cilat rreth 450 mijë u eksportuan në SHBA.
Ribera, përgjegjëse për politikën e konkurrencës në KE, tha të enjten gazetarëve se vendosja nga SHBA e doganave mbi makinat e huaja është një lajm i keq si për konsumatorët ashtu edhe për industrinë. “Na vjen keq që administrata amerikane po luan kundër një tregu botëror të makinave që funksionon mirë” – theksoi ajo.
E pyetur nëse Brukseli mund t’i propozojë Uashingtonit rritjen e importit të LNG-së amerikane në negociata, Ribera u përgjigj se kontratat për blerjen e gazit të lëngshëm i firmosin kompanitë, jo qeveritë.
“Sigurisht, ne do të duhet të përqendrohemi në interesin tonë si evropianë. Do të punojmë së bashku me sektorin (automobilistik – PAP), për t’u siguruar që kompanitë tona do të përballen me këtë” – theksoi nënkryetarja e KE-së. Ajo shtoi se Bashkimi Evropian duhet të mbështesë kompanitë që plotësojnë standardet e larta sa i përket të drejtave të punës dhe mbrojtjes së mjedisit.
Ribera njoftoi se KE do të vëzhgojë detajet e doganave të shpallura nga SHBA dhe do të reagojë në mënyrë të përshtatshme ndaj tyre. (27.03.2025)