Kjo kompani në pronësi të Autoritetit Portual Durrës u krijua për të siguruar mbarëvajtjen e zhvillimit të projektit duke qënë se në bazë të ligjit për investimet strategjike qeveria shqiptare do të jete pjesë e zhvillimit të këtij projekti.

Kjo marrëveshje që u nënshkrua në Tiranë, vjen pas thuajse tre vjet rrugëtimi me shumë hapa, duke kaluar përmes diskutimesh, studimesh, analizash, debatesh, bisedimesh teknike e negociatash jo të lehta.

Kryeministri Edi Rama tha se “Marina e Durrësit do të hapë rrugën për gjithë bregdetin shqiptar, jo vetëm për Durrësin” dhe se “efekti domino i portit turistik do të jetë spektakolar”.

 “Do të ishte e paimagjinueshme, jo 50 vjet përpara, por edhe pesë vjet përpara, që të kishim një investim të tillë në turizëm, në një vend që filloi të zhvillohej si vend me vizion për të qenë konkurrues në turizëm vetëm kur ne morëm pushtetin. Kjo është e vërteta”, deklaroi Rama.

Rama theksoi se “kjo periudhë ka shënuar rritje të jashtëzakonshme, krahasuar me vitet e mëparshme”, duke shtuar se “në një nga klasifikimet e bëra për rritjen e turizmit në vendet e Mesdheut, Tirana zë vendin e dytë pas Antalias”.

Rama tha se porti i ri që do të ndërtohet në Porto Romano nga një kompani holandeze, do të marrë përgjegjësi për kalimin e mallrave, ndërsa vendin e tij do ta zerë porti turistik, ashtu si edhe në shumë qytete të tjera porte të Evropës dhe botës.

“Ne do të krijojmë një gjë kaq të veçantë që kur njerëzit të vijnë, ata do të duan të mos largohen më kurrë. Këtë ua premtoj”, deklaroi Muhammed El Alabbar.

Ai tha se “ky projekt që është fillesa e bashkëpunimit, ka sjellë kaq pranë Shqipërinë me Emiratet e Bashkuar Arabe” dhe vlerësoi nismat që po ndërmerr Shqipëria për të nxitur ekonominë./ (11 gusht)

Dy miliardë euro për portin turistik të Durrësit

Projekti për ndërtimin e portit turistik në Durrës, i cili mori statusin e investimit strategjik do të zhvillojë e rijetëzojë qytetin bregdetar duke ndërtuar një port me kushte moderne dhe duke ofruar për herë të parë një lloj të ri turizmi në Shqipëri.

Së bashku me portin, do të ndërtohet një zonë e re rezidenciale si dhe shërbime për një turizëm bregdetar elitar.

Ky investim me vlerë dy miliardë euro do të krijojë 12,000 vende të reja pune dhe pritet të ketë ndikim në ekonomi dhe në turizëm.

Porti i ri turistik i Durrësit e ngre turizmin shqiptar në një nivel të ri si dhe i përshtatet strategjisë së qeverisë për transportin detar, ku përfshihen shumë plane dhe investime për të përmirësuar infrastrukturën e porteve në vend.

Me portin e ri turistik të Durrësit dhe me portet e reja në Shëngjin, Vlorë dhe Sarandë, vitet e ardhshme Shqipëria do të përjetojë rritje ekonomike prej turizmit dhe vendeve të reja të punës.

Projekti “Durrës Yachts & Marina” përfshin një port jahtesh dhe një seri hotelesh, baresh restorantesh, kinemash dhe rezidencash./ (10 gusht 2022)

Bazë e NATO-s në Porto Romano

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku shpjegoi se vendosja e portit ekzistues në Porto Romano është një vendim i studiuar prej kohësh me vëmendje të madhe.

Balluku theksoi se “ne do të ndërtojmë një port modern që do t’i përgjigjet kërkesave jo vetëm të Shqipërisë, por edhe gjithë rajonit”.

Ajo u ndal në hapat finalë të ndërtimit të projektit që kanë edhe dy elementë të rëndësishëm.

Ministrja nënvizoi se ky port do të jetë i lidhur me një hekurudhë me portin e thatë të Prishtinës, ku do të përpunohen të gjithë mallrat që vijnë në portin e Durrësit dhe që do të shkojnë direkt në Prishtinë.

Gjithashtu, Balluku shpjegoi se do të ketë edhe një pjesë fundore të portit që do t’i kushtohet operacioneve ushtarake të NATO-s, projekt i prezantuar edhe në selinë  e NATO në Bruksel./ (10 gusht 2022)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.