Paris – Më shumë se 60 kompani të mëdha evropiane janë bashkuar në iniciativën «EU AI Champions Initiative», për të avancuar zhvillimin dhe aplikimin e Inteligjencës Artificiale (AI) në Evropë. Qëllimi i iniciativës, i prezantuar në samitin ndërkombëtar të AI në Paris, është të shfrytëzohet potenciali i plotë i Evropës në fushën e AI, në bashkëpunim mes korporatave dhe industrisë teknologjike.
Në këtë nismë marrin pjesë startup-e të njohura evropiane si Helsing, Mistral AI dhe Dataiku, kompani të mëdha nga fusha të ndryshme si Airbus dhe Dassault si dhe kompani gjermane si Deutsche Bank, Lufthansa, Siemens dhe Volkswagen.
AI do t’u japë sektorëve kryesorë të Evropës një impuls zhvillimi
Bëhet fjalë për integrimin e AI të aplikuar në bazën industriale të Evropës, me qëllim rritjen e produktivitetit, rezistencës dhe sovranitetit ekonomik, veçanërisht në sektorët kryesorë si prodhimi, energjia dhe mbrojtja. Më shumë se 20 investitorë të mëdhenj ndërkombëtarë kanë parashikuar 150 miliardë euro për projekte të lidhura me AI në Evropë gjatë pesë viteve të ardhshme, gjë që nënvizon potencialin e madh të AI në Evropë.
Sipas kancelarit gjerman Olaf Scholz, edhe Evropa mund të investojë qindra miliarda euro në zhvillimin e Inteligjencës Artificiale. «Njëri gjë është e qartë: Ne kemi nevojë për më shumë investime në AI», tha Scholz. «Kjo mund të jetë e suksesshme edhe në Evropë dhe veçanërisht në Gjermani». Studime kanë vërtetuar se «jemi lider në botë në kërkime, në përballimin shkencor të sfidave që lidhen me këtë mundësi të re të Inteligjencës Artificiale».
Shumë prej atyre që kanë punuar në modelet e njohura të AI, janë arsimuar, kanë hulumtuar dhe mësuar në universitetet gjermane, tha Scholz para pjesëmarrjes së tij në konferencën në Paris. Prandaj, tani bëhet fjalë për t’u kujdesur që tregu privat i kapitalit të jetë në gjendje të nxisë rritjen e kompanive të suksesshme të AI në Gjermani dhe Evropë. «Ne kemi në Evropë mjaft para për të realizuar investime të mëdha, me vlerë qindra miliardash, siç është edhe rasti në SHBA. Dhe tani këto mundësi duhet të shfrytëzohen.»
Në samitin ndërkombëtar dy-ditor për veprime në fushën e Inteligjencës Artificiale (AI) këshillohen deri të martën në Paris rreth 1,500 pjesëmarrës nga rreth 100 vende. Shumë udhëheqës shtetërorë dhe qeveritarë, si dhe përfaqësues të industrisë dhe ekspertë marrin pjesë në konferencë. (10 Shkurt)