Kryetarja e Kuvendit në Shqipëri, Elisa Spiropali zhvilloi takim për konsultimin e draftit të Planit të ri Strategjik të Kuvendit 2025-2030 me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian, përfaqësisë së OSBE në Shqipëri, kryetarët e komisioneve parlamentare, si dhe partnerë strategjikë.

Ajo deklaroi në këtë takim se ky plan përfaqëson një vizion të qartë dhe të vendosur, i cili para së gjithash pasqyron Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian.

“Shqipëria nuk po pret të jetë gati. Shqipëria po vepron sot – me reforma, me përkushtim dhe Kuvendi synon të jetë zemra e kësaj përpjekjeje”, u shpreh ajo.

Sipas kryeparlamentares shqiptare, anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030 është një objektiv ambicioz, por tërësisht i realizueshëm, nëse mbahet parasysh shpejtësia e këtij procesi dhe thellësia e reformave.

“Strategjia e Kuvendit 2025-2030 është një pjesë e masave tona për arritjen e këtij objektivi dhe Kuvendi duhet të ngrihet në lartësinë që paraqet kjo sfidë. Ne po punojmë që në mbyllje të legjislaturës së ardhshme, Kuvendi i Shqipërisë të jetë parlamenti i një vendi anëtar të Bashkimit Europian”, u shpreh Spiropali.

I pranishëm në aktivitet ishte ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Silvio Gonzato si dhe disa ambasadorë të vendeve të BE-së në Shqipëri.

Gjatë diskutimeve të tyre shprehën vlerësimin për partneritetin e deritanishëm me Kuvendin e Shqipërisë dhe nënvizuan përkushtimin për të vijuar punën në forcimin e qeverisjes demokratike, rritjen e efektivitetit institucional, për të ndërtuar një parlament që është transparent, gjithëpërfshirës dhe i gatshëm për të përballuar sfidat e rrugëtimit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. (31 janar)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.