SOFIA – Presidentët e Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) Gordana Siljanovska-Davkova dhe të Bullgarisë Rumen Radev u takuan dhe biseduan në institucionin e presidentit në Sofje. Kjo ishte vizita e parë e Siljanovskës në Bullgari që nga marrja e detyrës si kreu i shtetit më 12 maj të këtij viti. Vizita e saj është jozyrtare dhe është me rastin e vizitës së Operës Kombëtare dhe Baletit të RMV-së, që paraqiti në Sofje operën “Nabucco” nga Giuseppe Verdi.
Pas takimit me Rumen Radew, që zgjati dy orë dhe nuk ishte mediatike, Siljanovska tha se ka ftuar presidentin bullgar të vizitojë Shkupin, por nuk janë diskutuar data e vizitës. Ajo shtoi se kanë biseduar në një atmosferë të këndshme, që do të japë fryte.
Ne u bashkuam për më të rëndësishmet – integrimin evropian, kriteret e Kopenhagës, qasjen rajonale për zgjidhjen e problemeve, për faktin që do të kërkojmë së bashku zgjidhje, pa u ndjerë askush i dëmtuar apo i fyer, apo harruar, tha presidentja Siljanovska. Të dy përfaqësojmë interesat kombëtare të vendeve tona, por është gjithashtu fakt se dialogu është zgjidhja kyçe, shtoi ajo.
Bullgaria pret që dëshira e shprehur për dialog dhe mirëkuptim nga presidentja Gordana Siljanovska të shndërrohet në një politikë konsistente të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, deklaroi presidenti Radev.
Bullgaria gjithmonë ka qenë e hapur për dialog me RMV dhe pres që ai jo vetëm të ndihmojë për afrimin kulturor dypalësh dhe bashkëpunimin ekonomik, por edhe përmes tij të arrihet një zgjidhje e çështjeve të hapura në marrëdhëniet tona. Ato duhet të zgjidhen mbi bazën e Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim, të protokolleve të nënshkruara dhe të përfundimeve të Këshillit Evropian nga vera e vitit 2022, të pranuara njëzëri nga të gjitha vendet anëtare të BE dhe me pëlqimin e RMV-së, theksoi Radev.
Rumen Radev bëri thirrje për përpjekje shumë më aktive të përbashkëta nga Bullgaria dhe RMV për ndërtimin e Korridorit të Transportit 8, që është thelbësor për lidhjen dhe sigurinë në Evropën Juglindore, do të përmirësojë kushtet për biznes dhe turizëm, dhe do të nxisë investimet në planin rajonal.
Po punohet për një korridor sigurie. Qeveria ka mirëkuptim për projektin, pra nuk ka arsye të dëmtojë NATO-n, tha për gazetarët presidentja Siljanovska.
Ajo u shoqërua nga ministri i Kulturës së RMV-së, Zoran Ljutakov dhe ministri i Jashtëm, Timço Mutsunski, në performancën e Operës Kombëtare dhe Baletit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Operën dhe Baletin Kombëtar të Sofjes.
Më herët gjatë këtij viti, Siljanovska ishte e ftuar në netët operistike të majit në Shkup, për të parë shfaqen e “Valkyrie” nga Opera dhe Baleti Kombëtar i Sofjes. Ajo vlerësoi rëndësinë dhe forcën e diplomacisë kulturore si një pjesë e pandashme e veprimtarisë ndërkombëtare.
Pasi u zgjodh kryetare e shtetit, Siljanovska vizitoi Italinë, Gjermaninë, Zvicrën dhe Serbinë. Udhëtimi i saj në Bullgari vjen në sfondin e mosmarrëveshjeve në vendin e saj se kur dhe nëse do të përmbushën kërkesat për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në BE. Një nga kushtet e BE-së është që RMV të ndryshojë kushtetutën për të regjistruar bullgarët si popull konstituiv. (13.09.2024)