Programi i Bashkimit Evropian, SOCIEUX+, i cili shënon një tjetër hap për të ndihmuar Shqipërinë të përmbushë standardet e BE-së, u prezantua në Shtëpinë e Evropës në Tiranë.
SOCIEUX+ sjell ekspertizë evropiane për përmirësimin e sistemeve të mbrojtjes sociale, punës dhe punësimit, nëpërmjet shkëmbimit të njohurive, të përshtatura për të përmbushur nevojat e Shqipërisë.
Programi tregon përkushtimin e BE-së për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt një shoqërie më të fortë dhe gjithëpërfshirëse.
I pranishëm në ceremoninë e paraqitjes së programit, Shefi i Bashkëpunimit në delegacionin e BE-së në Tiranë, Hubert Perr u shpreh se SOCIEUX+ ofron mbështetje afatshkurtër në fushën e mbrojtjes sociale, punës dhe punësimit, bazuar në modelin e shkëmbimit.
Sipas tij, mbështetja e ofruar nga SOCIEUX+ mund të ndihmojë Shqipërinë të përfitojë nga përvoja dhe praktikat më të mira nga vendet anëtare të BE-së duke përafruar legjislacionin dhe standardet e saj në procesin e anëtarësimit në BE.
“Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me ndryshimin e ligjeve; ka të bëjë me transformimin e shoqërisë për të mirën e të gjithë shqiptarëve”, theksoi Perr. (27 janar)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.