Bashkimi Evropian dhe UNOPS nisën në Shqipëri projektin e ri të financuar nga BE-ja “BE për Drejtësi Digjitale: Mbështetje për shtetin e së drejtës përmes transformimit digjital”.

Kjo nismë transformuese synon të ndihmojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE duke forcuar shtetin e së drejtës dhe duke rritur besimin te sistemi i drejtësisë në Shqipëri nëpërmjet inovacionit digjital.

Me një buxhet prej 7,5 milionë euro, projekti 4-vjeçar synon të trajtojë sfidat kritike në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke përfshirë proceset e vjetra, menaxhimin e fragmentuar të çështjeve dhe përdorimin e kufizuar të teknologjisë.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, menaxherja e UNOPS-it për Shqipërinë dhe Kosovën, Sabine Kania, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, si dhe përfaqësues të institucioneve përkatëse shqiptare.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, tha se, “projekti BE për Drejtësinë Dixhitale është një moment kyç në procesin e zbatimit të reformës në sektorin e drejtësisë në Shqipëri. Është gjithashtu një kërkesë kyçe e grup-kapitullit të parë, që përcakton ritmin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”.

“Krijimi i një sistemi modern të menaxhimit të çështjeve, në përputhje me standardet e BE-së, do të ndihmojë institucionet gjyqësore të përmirësojnë performancën e tyre. Nëpërmjet këtij projekti dhe mbështetjes së përgjithshme të BE-së për reformën në drejtësi në Shqipëri, ka një objektiv kryesor: t’u ofrohet qytetarëve shqiptarë një shërbim publik cilësor dhe efikas i drejtësisë”, tha Gonzato

Sabine Kania, menaxhere e UNOPS-it për Shqipërinë dhe Kosovën, tha se, “me këtë projekt, synojmë të krijojmë një integrim të plotë të sistemeve, proceseve dhe të dhënave duke nëpërmjet digjitalizimit në sektorin e drejtësisë. Ky do të jetë themeli teknologjik për të modernizuar sistemin e drejtësisë, forcuar shtetin e së drejtës dhe mbi të gjitha, për të ndërtuar një besim më të madh tek institucionet ligjore”.

Ministri shqiptar i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se, “rrugëtimi ynë drejt BE-së bazohet në një transformim rrënjësor të sistemit të drejtësisë, si një nga shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës”.

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Olsian Çela tha se, “bota ka hyrë tashmë në epokën dixhitale, që karakterizohet nga një zhvillim i shpejtë i teknologjisë, ndaj sfida e këtij projekti do të jetë jo vetëm të ngrejë një sistem menaxhimi efikas dhe eficient, i cili i përgjigjet nevojave aktuale, por të shohë nga e ardhmja, duke mundësuar efektivitetin e tij për një periudhë të gjatë kohore”.

Ky projekt pritet të kontribuojë në arritjen e rezultateve konkrete në reformën në drejtësi, si dhe t’u sigurojë profesionistëve ligjorë, publikut dhe shoqërisë civile shërbime drejtësie më të shpejta, më transparente dhe më të arritshme.

Projekti inovativ “BE për drejtësinë digjitale” do të sigurojë bazën e nevojshme teknologjike për të nxitur përmirësime afatgjata dhe për të mbështetur rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE duke modernizuar dhe digjitalizuar sistemin e drejtësisë.

Gjatë 48 muajve, projekti do të krijojë një sistem modern të menaxhimit të çështjeve për Prokurorinë, do të rrisë kapacitetin e Qendrës së Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë dhe do të vërë në zbatim instrumentet e inteligjencës në biznes për vendimmarrje të bazuara në të dhëna.

Kjo nismë synon të forcojë shtetin e së drejtës, të përmirësojë efikasitetin institucional dhe të ofrojë shërbime drejtësie më të shpejta dhe më transparente, në përputhje me standardet e BE-së.

Bashkimi Evropian është partneri më i madh i Shqipërisë për zhvillim, duke ofruar mbi 100 milionë euro në vit asistencë në grante për të mbështetur popullin shqiptar dhe për ta ndihmuar Shqipërinë të miratojë dhe zbatojë reformat kyçe politike, institucionale, sociale dhe ekonomike për t’iu përmbajtur vlerave të BE-së dhe për t’u përafruar në mënyrë progresive me rregullat e saj. (24 janar)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.