Raporti i BE-së konfirmon arritjet në zbatimin e reformave

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ambasadoren e delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Christiane Hohmann, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku deklaroi se raporti i progresit vazhdon të konfirmojë progres të mirë në zbatimin e reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi, përfshirë edhe vazhdimin e sigurimit të rezultateve të prekshme në procesin e vetingut si dhe funksionalitetin e plotë të organeve të drejtësisë.

“Raporti konfirmon gjithashtu arritjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen të drejtave themelore dhe sidomos mbrojtjen e vlerave evropiane dhe orientimin e qëndrueshëm të politikës sonë të jashtme, të bazuar në këto vlera dhe në linjëzim të plotë me politikat e BE-së“, u shpreh Balluku.

Balluku tha se detyrimet e qeverisë shqiptare janë ato të një vendi negociues që sapo ka nisur rrugëtimin e gjatë, për t’u bërë një ditë shtet anëtar, teksa shprehu vullnetin e qeverisë për të përshkruar këtë rrugëtim, të cilin ajo e cilësoi sfidues.

“Të jemi krenarë që kemi ruajtur ritmin gjatë viteve të pasigurive, sepse ajo po na shpërblehet. Nuk ishte një rrugë e lehtë, e as do të jetë. Ne mund të mbështetemi te miqtë e partnerët tanë evropianë dhe në unitetin kombëtar, që të qëndrojmë plotësisht pas objektivave të integrimit”, u shpreh ajo.

Ambasadorja theksoi dy çështje ku shteti shqiptar ka arritur përparim të dukshëm janë lufta kundër krimit dhe kundër korrupsionit./ (13 tetor 2022)

Shqipëria përparime në bujqësi dhe zhvillimin rural

Raporti i progresit i publikuar nga Komisioni Evropian për periudhën shtator 2021- shtator 2022, ka vlerësuar pozitivisht ecurinë e punës së Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Duke u ndalur në secilin sektor si bujqësia dhe zhvillimi rural, siguria ushqimore dhe peshkimi, Komisioni Evropian në dokumentin e përvitshëm të matjes së performancës së Shqipërisë në përafrimin e politikave dhe ligjeve me Bashkimin Evropian rendit arsyet e rezultateve pozitive të bujqësisë shqiptare. 

Në lidhje me zhvillimin rural, KE shprehet se Ministria e Bujqësisë ka realizuar dhe përmbushur kërkesën e rekomandimeve të kaluara për krijimin dhe ngritjen e regjistrit të fermës si instrumenti që garanton zbatimin e praktikave të mira të prodhimit të vendeve të zhvilluara.

Shqipëria vlerësohet pozitivisht edhe për rritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve për miratimin e programit IPARD III i cili do të ketë një rritje të buxhetit të mbështetjes me 54% duke arritur në 146 milionë euro me rritje edhe të kategorive të masave mbështetëse.

Raporti thekson gjithashtu dhe suksesin në administrimin dhe zbatimin e programit IPARD II në realizimin e plotë të objektivave.

Komisioni Evropian vlerëson pozitivisht ecurinë edhe në sektorin e sigurisë ushqimore ku krahas vlerësimit për punën e realizuar thekson edhe disa detyra të cilat janë në proces.

Gjithashtu lidhur me kërkesën e raportit të progresit për ligjin e shëndetit të kafshëve dhe ligjin e mbrojtjes së bimëve, tashmë ato janë në proces draftimi me asistencë ndërkombëtare bazuar në rregulloret e BE-së.

Gjithashtu për sa i përket kërkesës për plotësimin e trupës veterinare, nga 167 veterinerë në prill të vitit 2021, tashmë janë 444 veterinerë në terren të cilët garantojnë shëndetin e kafshëve.

Në sektorin e peshkimit Komisioni Evropian vlerëson se Shqipëria ka bërë progres të dukshëm, veçanërisht në funksionimin e Sistemit të Monitorimit të Anijeve (VMS) dhe shpërndarjen e burimeve njerëzore për të monitoruar dhe raportuar mbi aktivitetin e anijeve të peshkimit.

Gjithashtu, raporti vlerëson mbështetjen e dhënë për anijet e peshkimit sipas skemës se bashkëfinancimit me 50% të investimit duke theksuar se qeveria ka prezantuar masa të reja mbështetëse financiare për sektorin e peshkimit si pjesë e programit kombëtar të financimit për bujqësinë dhe zhvillimin rural 2022 si dhe ndërtimin e tregjeve në Shëngjin dhe Vlorë./ (12 tetor 2022)

Shqipëria progres në luftën kundër krimit dhe korrupsionit

KE vlerëson se Shqipëria shënoi progres në sistemin gjyqësor që nga emërimi i dy gjyqtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese duke përmirësuar më tej aftësinë e gjykatës për të ushtruar mandatin e saj si dhe  në Gjykatën e Lartë, e cila tani ka 15 gjyqtarë në detyrë.

Rivlerësimi i përkohshëm i gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i vetingut) ka vazhduar të përparojë në mënyrë të qëndrueshme. Nën kujdesin e Komisionit Evropian, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka vazhduar të mbikëqyrë procesin në mënyrë të pavarur. Deri më 12 shtator, institucionet e vetingut kishin përfunduar 554 çështje të shkallës së parë. Rreth 64% e dosjeve të vetingut të përpunuara deri tani kanë rezultuar me shkarkime, dorëheqje ose përfundimin e mandatit të magjistratëve të verifikuar.

KE nënvizon se edhe pse vetingu i anëtarëve të sistemit të drejtësisë është një proces administrativ, ai vazhdon të sjellë rezultate në luftën kundër korrupsionit brenda gjyqësorit.

KE vlerëson se bashkëpunimi i fortë dhe i frytshëm me Shtetet Anëtare të BE-së, Europol-in dhe Eurojust-in ka çuar në rezultate të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar. Shqipëria ka vazhduar të tregojë angazhim për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit. Progres i mirë është arritur në sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve të lidhura me krimin e organizuar./ (12 tetor 2022)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.