Roma (ANSA) – Vladimir Putin premton hakmarrje pas një sulmi me dron të ukrainasve që synuan Kazanin rus, një mijë kilometra nga kufiri, dhe fokusohet në gazin për të ruajtur një ndikim në Evropë duke pritur në Kremlin kryeministrin sllovak Robert Fico, i shqetësuar nga ndërprerja e tranzitit të gazit rus nga Kievi nëpërmjet territorit ukrainas.
“Nuk do ta zgjasim” marrëveshjen e tranzitit drejt Evropës, “nuk do t’i japim mundësinë Moskës të fitojë miliarda të tjera mbi gjakun tonë dhe mbi lëkurën e ukrainasve”, kishte shpallur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në Këshillin Evropian më 19 dhjetor. Konfirmimi më pas erdhi edhe nga Putini, një ditë më pas në konferencën e shtypit të fundvitit: kontrata pesëvjeçare do të përfundojë më 31 dhjetor dhe nuk do të rinovohet.
Një vendim që nuk ka pëlqyer Hungarinë dhe Sllovakinë, të cilat varen shumë nga gazi rus. Fico është pastaj në të njëjtën linjë me Viktor Orban, i cili fajëson Kievin për mosarritjen e një marrëveshjeje për bisedimet e paqes, dhe ka ndërprerë ndihmat për Ukrainën që nga fillimi i mandatit të ri si kryeministër, një vit më parë. Së fundmi, ai ka pranuar edhe ftesën e Putinës në ceremonitë e majit në Moskë për 80 vjetorin e fitores mbi nazizmin.
Presidenti Putin “ka konfirmuar gatishmërinë e Rusisë për të vazhduar furnizimin me gaz në Perëndim dhe në Sllovaki” ka bërë të ditur kryeministri sllovak në Facebook. Në “bisedën e gjatë”, ai ka shpjeguar, është diskutuar edhe për situatën ushtarake në Ukrainë, “mbi mundësitë e një mbarimi paqësor” dhe mbi marrëdhëniet bilaterale midis Bratislavës dhe Moskës “që kam ndërmend të standardizoj” (22 dhjetor).