Shqipëria do të mikpresë takimin e ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian, në gjashtë muajt e parë të vitit 2025.
Kryeministri shqiptar Edi Rama mori pjesë në takimin e fundit të Komunitetit Politik Evropian në Budapest prej ku mori edhe stafetën e mikpritësit të radhës.
Rama e konsideroi privilegj faktin se takimi i ardhshëm i Komunitetit Politik Europian do të zhvillohet në Tiranë.
“Më duhet t’ju them që deri shumë vite më parë ky bashkëbisedim me BE-në ishte i paimagjinueshëm. Ka një sërë arsyesh dhe natyrisht Vladimir Putini është një prej tyre sepse zgjoi fort BE-në, por më duhet të them se në këtë forum së bashku me atë çfarë po ndodh edhe me Komisionin Evropian, Planin e ri të Rritjes dhe integrimin gradual, është gjithçka shumë inkurajuese”, tha Rama në një dalje për mediet pas takimit.
“Unë jam tragjikisht optimist për të ardhmen, për të ardhmen e Shqipërisë, vendi i së cilës është pa dyshim në Europë dhe do të luftojmë çdo ditë dhe na është hapur tashmë një rrugë e re”, deklaroi Rama duke iu referuar faktit që Shqipëria më 15 tetor hapi negociatat për grup-kapitujt e parë me Bashkimin Evropian.
Tirana ka qenë edhe më parë mikpritës i aktiviteteve të rëndësishme të Bashkimit Evropian. Kështu më 6 dhjetor 2022, Tirana mikpriti për të parën herë në histori, Samitin e Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, me pjesëmarrjen e të gjithë liderëve të BE dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, që njëkohësisht zhvillohej për herë të parë në një prej vendeve të rajonit.
Në këtë samit, udhëheqësit e BE-së shprehën mbështetjen e tyre të qartë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. (8 nëntor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.