Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se Shqipëria synon që brenda vitit 2030 të jetë gati për Bashkimin Evropian dhe të ketë kryer të gjitha detyrat, pas hapjes së kapitujve të Themeloreve në negociatat me BE një ditë më parë në Luksemburg.
Këto deklarata ai i bëri pas konferencës së dytë ndërqeveritare në Luksemburg ku u ndal tek ecuria e deritanishme e procesit të integrimit evropian.
Rama tha se ka një plan shumë ambicioz, sepse siç tha ai, “duam që Shqipëria të jetë gati dhe të ketë përmbushur të gjitha objektivat dhe të ketë goditur të gjitha shënjestrat që ka procesi përpara vitit 2030”.
“Është një plan i përpunuar dhe i dakordësuar me komisionin duke menduar që brenda mandatit të katërt puna të jetë përmbyllur dhe Shqipëria të konsiderohet një vend me detyra të kryera”, u shpreh Rama.
Kryeministri komentoi edhe ndarjen nga Maqedonia e Veriut në procesin e çeljes së negociatave, ndërsa theksoi se kjo është një korsi individuale e çdo vendi dhe nuk jemi të lidhur në çift me askënd përgjithmonë.
I pyetur mbi planin e investimit të BE-së, Rama tha se Shqipërisë dhe vendeve të tjera po i jepet akses në tregun e përbashkët evropian. (16 tetor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.