689 000 vizitorë vendas dhe të huaj kanë vizituar institucionet e trashëgimisë kulturore në 2022

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, duke bërë bilancin e vitit 2022, tha se në çdo nismë të marrë është vlerësuar impakti ekonomik që sjell ajo.

Ajo tha se janë 689 000 vizitorë vendas dhe të huaj që kanë vizituar institucionet e trashëgimisë kulturore në vitin 2022.

“Ekonomia e së bukurës ka qenë kryefjala e çdo nisme dhe këtë e tregon mirë viti 2022”, tha Margariti.

Kjo shifër i afrohet asaj të para pandemisë, ku 54 % e këtyre vizitorëve ishin të huaj. Të ardhurat nga këta vizitorë arritën e 239 milionë lekë të cilat kalojnë në pjesën e mirëmbajtjes, duke u kaluar drejtorive apo qendrave që menaxhojnë ato territore.

Ka pasur projekte të ndryshme për mbështetjen e skenës artistike dhe skenës së pavarur.

Fondi i teatrit të të rinjve, ka bërë që vëmendja të mos jetë vetëm në Tiranë por mbështetja e buxhetit të shtetit të jetë e shpërndarë në të gjithë territorin. Këto nisma do të kenë më shumë buxhet sesa një vit më parë, duke parë numrin e aplikuesve në projekte të ndryshme.

Ndër projektet e artit, Margariti ka veçuar një projekt dedikuar artizanëve.

Ata do të mbështeten akoma më shumë pasi në shifrat e dala nga turizmi del se ata janë një pit-stop i rëndësishëm i turistëve të huaj, prandaj do të kenë një fond të dedikuar./ (19 janar)

Nga Teatri Kombëtar te Muzeu Hebraik, Margariti rendit kantieret e kulturës

Një nga projektet më ambicioze të qeverisë, sa i përket kulturës në 2023, është  “Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë”.

“Kjo qendër ka nisur të marrë jetë në hapësirën e ish Gardës”, tha sot ministrja e Kulturës, Margariti gjatë publikimit të arritjeve në vitin 2022 dhe objektivat për vitin 2023.

Përtej Teatrit të Kukullave e kurseve të muzikës e pikturës, në këtë qendër një hapësirë e konsiderueshme do i lihet kurseve të teknologjisë dhe artizanatit. Do të ketë hapësira të dedikuara për fëmijët që do të mësojnë poçerinë e zejtari të tjera, pjesë të identitetit unikal shqiptar.

Por, kantieri më i madh i Ministrisë së Kulturës, mbetet Teatri Kombëtar.

“Në momentin që realizojmë këtë objekt, do të kemi një inkubator idesh e festivalesh ndërkombëtare dhe puna për këtë ka nisur me drejtorin e ri, duke krijuar sinergji e bashkëpunime të reja”, u shpreh Margariti.

Dy kantiere të tjera që veçoi ministrja e Kulturës ishin dhe Muzeu Hebraik në Vlorë dhe Piramida e Tiranës.

“Muzeu Hebraik vjen për të sjellë traditën e bukur shqiptare të mikpritjes dhe mbështetjes ndaj këtij komuniteti. Shpesh fëmijët tanë nuk e dinë historinë e bukur të mikpritjes kombëtare dhe përveç kësaj shpresojmë që ky muze të shërbejë si magnet ndaj turistëve dhe vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta me komunitetin hebre”, u shpreh Margariti.

Muzeu Hebraik do të vijë si një muze dixhital, ku do të vihet theksi tek elemente audio-vizuale dhe s’do të jetë një muze i prekshëm./ (18 janar)

Piramida e Tiranës, një nga objektet më simbolike të periudhës diktatoriale, po transformohet në një objekt multifunksional

“Me partnerë të rëndësishëm si Fondi Amerikan i Zhvillimit, brenda 6-mujorit të parë do të kemi përfundimin e këtij inkubatori të teknologjisë”, tha ministrja e Kulturës, Elva Margariti për Piramidën e Tiranës.

Më tej ajo renditi të tjera nisma te ministrisë që drejton, të cilat janë shpërndarë në nivel kombëtar, nga veriu ne jug, për të çuar përpara listën e rriskut apo të emergjencës për restaurime të objekteve të trashëgimisë.

Shumë shpejt do të nisë muzealizimi shtëpisë së një prej poetëve më të njohur të Shqipërisë, at Gjergj Fishtës dhe memoriali i tij duke e kthyer atë në një rezidencë artistësh./ (18 janar)

Kjo përmbledhje është një përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij botimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.