Për herë të parë në Shqipëri organizohet Skema Kombëtare e Trajnimit në Bujqësi, e cila synon të përditësojë informacionin në bujqësi për fermerët, për të arritur në një bujqësi më inovative, nëpërmjet transmetimit të njohurive të reja ose kombinimeve të reja me njohuritë ekzistuese.
Ky trajnim, është i pari që zhvillohet në shkallë vendi, përfitues të të cilit janë fermerë që prodhojnë për tregun vendas dhe për eksport. Kurset do të zhvillohen në bashkëpunim me specialistë të qendrave të transferimit të teknologjisë dhe fermerë që përdorin praktika të reja kultivimi.
Kryeministri Edi Rama ka theksuar se “me këtë program, që është eksperienca e parë në 40 vjet, do të hapet një kapitull i ri i marrëdhënieve mes Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) dhe fermerëve.
Sips tij, mbi 2,000 mijë fermerëve do t’u jepen trajnime me specialistë të teknologjisë së fundit, ku përfshihen praktikat e reja në ndihmë të punës së tyre.
Fermerët shqiptarë kanë eksportuar gjatë 8-mujorit të parë 55 milionë lekë më shumë, krahasuar me një vit më parë. Kjo sipas kryeministrit, flet për një potencial të jashtëzakonshëm. Ai shtoi se nga 1,9 milionë fidanë të certifikuar në 2017-ën, aktualisht janë 35 milionë të tillë.
“Ne sot punojmë falë shumë komponentëve, që nga investimet masive në ujitje dhe në kullim, deri te programet mbështetëse, dyfishin e sipërfaqes së tokës, ndërkohë që prodhojmë 97% të sasisë së qumështit,” tha Rama./ (10 tetor 2022)
Prodhimet bujqësore shqiptare më konkurruese në tregje
Rreth 573 ekspertë dhe pedagogë të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) do të angazhohen në kuadër të Skemës Kombëtare të Trajnimit në Bujqësi për informimin dhe trajnimin e fermerëve në të gjithë vendin, në fushën e teknologjisë bashkëkohore, ku përfshihen praktikat e reja në ndihmë të punës së tyre.
Në nismën e ndërmarrë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ministrja Frida Krifca tha se Univesriteti Bujqësor i Tiranës ka mision të veçantë në çuarjen përpara të zhvillimit të bujqësisë dhe agropërpunimit, mbi bazat e inovacionit dhe teknologjive bashkëkohore.
Krifca vuri në dukje se nëpërmjet idesë dhe informacionit koherent, garantohet rritje e rendimentit të prodhimit, standarde dhe cilësi që e bëjnë prodhimin bujqësor më konkurrues në tregje.
Ekspertët e fushës që do të asistojnë fermerët, blegtorët dhe përpunuesit me praktikat më të mira në çdo drejtim të prodhimit, për mbarështimin e perimeve dhe drufrutorëve, sistemet e mbarështimit të kafshëve, ndryshimet klimatike dhe efektin e tyre në prodhimin bujqësor.
Ky program trajnimi garanton përmirësimin cilësor të fermave dhe ekspertët do t’i përgjigjen fermerëve për çdo nevojë që ata kanë duke përçuar avancimin e implementimit të teknologjive të reja në prodhim, me ndikim në uljen e kostove dhe rritjen e cilësisë për të projektuar zhvillimin konkurrues të bujqësisë shqiptare./ (7 tetor 2022)
Kampusi i ri i Universitetit Bujqësor të Tiranës
Viti i ri akademik i gjen studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës me godina të reja studentore.
Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbër Mazniku ka shpjeguar se dy prej tetë godinave, janë gati që këtë vit akademik në shërbim të studentëve, ndërsa në janar do të hapen edhe godinat e tjera.
Mazniku ka theksuar se godinat do të shërbejnë jo vetëm si konvikte për 2,200 studentë, por dhe si mjedise për kërkimin shkencor dhe për start-up duke krijuar një lidhje mes studentëve dhe biznesit.
Kryeministri Rama deklaroi se “infrastruktura e UBT-së ka qenë në gjendje të keqe, ndërsa kushtet, hapësirat e energjia e gjithë këtij territori ishin kundër nevojës më elementare të të gjithë trupës pedagogjike e studentëve.”
Ai konfirmoi vazhdimin e programit për sinergjinë me Universitetin e Vjenës./ (6 tetor 2022)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.