Ljubljana – Sllovenia ka bërë aplikimin për thirrjen e përbashkët të EuroHPC për të marrë një superkompjuter me performancë të lartë me fabrikën e inteligjencës artificiale. Vlera e projektit është 150 milionë euro, ku nga kjo, sipas fjalëve të ministres për transformim digjital Ksenija Klampfer, deri në 75 milionë euro janë të parashikuara për bashkëfinancim nga BE.
Në rast të aplikimit të suksesshëm, projekti do të kontribuojë ndjeshëm në zhvillimin e ekonomisë sllovene, efikasitetin e sektorit publik, përparimin e shkencës dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, thekson zyra e qeverisë sllovene për komunikim.
Superkompjuteri i ri do të përmirësojë kapacitetet që ofron superkompjuteri ekzistues Vega dhe do të mundësojë kryerjen e kërkimeve të vështira dhe zhvillimin e zgjidhjeve të avancuara në fusha si inteligjencë artificiale, analizë të të dhënave të mëdha, bioteknologji dhe shkenca mjedisore.
“Përveç përparimit teknologjik, projekti do të sjellë edhe mundësi të reja punësimi, do të forcojë konkurrencën e ekonomisë sllovene dhe do të rrisë njohjen e Sllovenisë si një shtet digjital i avancuar,” ka thënë ministrja Klampfer.
Sllovenia ka aplikuar në thirrjen e përbashkët të EuroHPC edhe me një aplikim të pavarur, pasi më 4 nëntor të vitit të kaluar në afatin e parë të aplikimit u bashkua me një konsorcium me qendra kërkimore nga Italia, Sllovenia dhe Austria. Në këtë projekt, që është planifikuar në Bolonje dhe ka marrë tashmë përgjigje pozitive në thirrjen, Sllovenia merr pjesë me pesë milionë euro.
Nëse Sllovenia do të jetë e suksesshme në aplikimin e saj në thirrje, shteti do të caktojë deri në 75 milionë euro për projektin e ngritjes së superkompjuterit me fabrikën e inteligjencës artificiale, po aq sa do të kontribuojë edhe BE. Nga këto 150 milionë euro, 10 milionë do të caktohen për fabrikën e inteligjencës artificiale, ndërsa shuma totale përfshin edhe pesë milionë euro që Sllovenia do të kontribuojë për superkompjuterin në Itali.
Nëse aplikimi i Sllovenisë në thirrjen EuroHPC ka qenë i suksesshëm, sipas fjalëve të sekretarit të shtetit do të dihet brenda dy muajve. (3 shkurt)