Ljubljana – Në Slloveni ende nuk ka përfunduar procedura e emërimit të kandidates për Komisionin e ri Evropian, pasi qeveria të hënën ka propozuar ish-ambasadoren Marta Kos për këtë pozitë. Qeveria është në pritje të mendimit këshillues të komitetit parlamentar për çështjet e BE-së, por kryetari i komitetit Franc Breznik nga radhët e opozitës SDS kushtëzon mbledhjen me sigurimin e materialeve shtesë dhe shpjegimeve për arsyet e zëvendësimit të kandidatit fillestar Tomaž Vesel. Ndër to do të jetë edhe letra e Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen drejtuar kryeministrit Robert Golob.
Breznik në emisionin Tarča të Televizionit Sllovenia të enjten tha se edhe ai vetë i ka shkruar presidentes së Komisionit Evropian. Ai e ka kërkuar atë, që t’i dërgojë letrën, në të cilën nga qeveria sllovene kërkon zëvendësimin e kandidatit komisar Tomaž Vesel, i cili më 6 shtator u tërhoq nga kandidatura. Qeveria të hënën propozoi ish-ambasadoren Marta Kos si kandidate të re për komisionaren evropiane.
Golob të enjten, në periferi të samitit të koalicionit qeveritar, tha se komiteti ka marrë të gjitha dokumentet, mbi bazën e të cilave qeveria vendosi për Kos, dhe nuk do të komentojë bisedat e natyrës konfidenciale.
Edhe nga disa deputetë evropianë sllovenë ka presion mbi qeverinë dhe komisionin. Deputeti Milan Zver (EPP/SDS) i ka dërguar komisionit një kërkesë për publikimin e të gjitha dokumenteve që lidhen me procedurën e emërimit të komisarit slloven, ndërsa Romana Tomc (EPP/SDS) për Euronews ka bërë një sërë akuzash ndaj Kos. Në të kundërt, Matjaž Nemec (S&D/SD) bëri thirrje për mbështetjen e Kos në interes të Sllovenisë dhe pozicionimit të saj të mëtejshëm në BE.
Von der Leyen planifikon që ekipin e saj të ardhshëm të komisionerëve t’ia paraqesë Parlamentit Evropian të martën, ashtu siç ishte njoftuar që në fillim të javës, tha sot zëdhënësi i komisionit, Eric Mamer, duke iu referuar komplikimeve me emërimin e kandidatës së re komisionere nga Sllovenia. Deri të martën ka ende shumë kohë, tha ai. (13 shtator)