Sofia – Tragjedia në Republika e Maqedonisë Veriore (RMV) tregoi se njerëzit nga të dy anët e kufirit ndoshta duhet të mbështetemi tek njëri-tjetri, por jo vetëm në ditët e provave, por në emër të së ardhmes tonë të përbashkët evropiane. Këtë tha presidenti bullgar Rumen Radev. Ai u shënoi në librin e zisë në ambasadën e RMV në Sofje pas zjarrit në diskotekë në qytetin Koçani, ku humbën jetën 59 persona dhe dhjetëra u plagosën. Bullgaria pranoi për mjekim një pjesë të të dëmtuarve dhe shpalli 18 marsin si Ditën e zisë kombëtare në kujtim të viktimave.
Me një avion ushtarak dhe ambulanca në Bullgari u transportuan 15 nga të dëmtuarit. Bullgaria është e gatshme dhe do të vazhdojë të ndihmojë me gjithçka të nevojshme, shtoi presidenti Radev. E përbashkët është dhimbja për humbjen e jetëve të pafajshme dhe e përbashkët është shpresa për shërim të shpejtë të të dëmtuarve, shtoi kryetari i shtetit.
Ministrat e punëve të jashtme dhe të shëndetësisë së Republikës së Maqedonisë Veriore Timço Mucunski dhe Arben Taravari vizituan në Sofje spitalin, ku janë pranuar për mjekim nëntë nga të dëmtuarit. Dy ministrat u shoqëruan nga homologët e tyre bullgarë Georg Georgiev dhe Silvi Kirilov.
Qeveria bullgare mbetet e gatshme të ofrojë ndihmë shtesë për miqtë dhe fqinjët e saj, vendi ka kapacitet dhe do të mund të pranojë edhe pacientë të tjerë, theksuan dy ministrat bullgarë.
Dëshiroj të shpreh mirënjohje Bullgarisë, presidentit dhe të gjithë popullit bullgar, kjo me të vërtetë lë një gjurmë të fortë tek ne, tha ministri i shëndetësisë së Republikës së Maqedonisë Veriore Arben Taravari.
Në disa qytete në Bullgari janë organizuar aksione për dhurimin e gjakut për të dëmtuarit në tragjedinë në Koçani.
Komisioni Evropian njoftoi më herët këtë javë se Republika e Maqedonisë Veriore ka aktivizuar mekanizmin e BE-së për mbrojtjen civile dhe ka kërkuar ndihmë për evakuimin e 15 të plagosurve me djegie të rënda. Kroacia, Greqia, Rumania, Sllovenia, Suedia, Lituania, Hungaria, Luksemburgu dhe Norvegjia kanë paraqitur oferta për ndihmë përmes mekanizmit, thuhet në njoftim. (18.03.2025 g.)