Brukseli (ANSA) – Me rastin e vizitës së saj të tetë në Kiev, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi qëllimin për të dhënë një hua për Ukrainën prej 35 miliardë euro, si pjesë e vendimit të marrë nga G7 për të ofruar në Kiev një financim prej 50 miliardë dollarësh me garancinë e aseteve ruse të bllokuara në Evropë.
“Sulmet e pamëshirshme ruse e bëjnë të nevojshëm mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Ukrainën. Komisioni do t’i ofrojë Ukrainës një hua deri në 35 miliardë euro si pjesë e përkushtimit të G7. Ky është një tjetër kontribut i rëndësishëm i BE-së për rimëkëmbjen e Ukrainës,” shkroi në një tweet von der Leyen. Gjatë takimit me kreun e shtetit ukrainas, Volodymyr Zelensky, presidentja prezantoi gjithashtu planin e përgatitjes dimërore të Komisionit për Ukrainën.
Ky është një mbështetje shtesë me vlerë rreth 160 milionë euro që do të ndihmojë në mbulimin e mbi 25% të nevojës elektrike të vendit. “Sezoni i ngrohjes do të fillojë pas dy javësh dhe sulmet e pamëshirshme të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike civile të Ukrainës synojnë të sjellin dëmin maksimal. Ne do ta ndihmojmë Ukrainën në përpjekjet e saj të guximshme për të kapërcyer këtë situatë,” shpjegoi von der Leyen duke folur për gazetarët mes të cilëve ishte edhe pool-i i agjencive të bashkuara në European Newsroom, ku bën pjesë edhe ANSA (20 shtator).