Evropa duhet urgjentisht dhe shpejt të riarmatose në mënyrë që të ketë një mekanizëm “të besueshëm parandalues” deri në vitin 2030, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Në një fjalim në Kopenhagë, Presidentja e Komisionit skicoi katër prioritetet kryesore të Librit të Bardhë shumë të pritur për mbrojtjen evropiane që do të paraqesë Komisioni dhe nevojën për riarmatimin e Evropës deri në vitin 2030 – një plan të cilin Komisioni e quan “Gatishmëria 2030” (Readiness 2030). “Deri në vitin 2030, Evropa duhet të ketë një qëndrim të fortë mbrojtës evropian. ‘Gatishmëria 2030’ do të thotë të riarmatosim dhe të zhvillojmë kapacitetet tona për të pasur një parandalim të besueshëm”, tha Von der Leyen.
Prioriteti i parë – që është edhe më i rëndësishmi – është rritja e shpenzimeve mbrojtëse. “Shpenzimet mbrojtëse të shteteve anëtare janë rritur mbi 31% që nga 2021. Kjo është mirë – por jo e mjaftueshme, pasi është shumë më e ulët se shpenzimet përkatëse të SHBA, Rusisë dhe Kinës,” tha Von der Leyen. Komisioni paraqiti para dy javësh një plan për të mobilizuar investime prej 800 miliardë eurosh në mbrojtjen evropiane. Ky përfshin një instrument të ri – që quhet “SAFE” – që mund të ofrojë shpejt shteteve anëtare kredi, në vlerë prej 150 miliardë eurosh për investime në mbrojtje. Ndërkohë, Komisioni propozon aktivizimin e të ashtuquajturës “Klauzolë Kombëtare e Shmangies” për të dhënë shteteve anëtare një fleksibilitet më të madh për të shpenzuar më shumë në mbrojtje pa shkelur rregullat financiare që përcaktojnë kufirin e deficitit në 3% të PBB-së. Kjo ka potencialin për të mobilizuar shpenzime shtesë mbrojtëse deri në 1.5% të PBB-së, ose rreth 650 miliardë euro në katër vitet e ardhshme. Njëkohësisht, Komisioni po punon për të tërhequr financime private – qoftë nga BEI ose tregjet e kapitalit.
Prioriteti i dytë, është “të blejmë më shumë në mënyrë evropiane”. Sipas Von der Leyen, “duhet të mbyllim boshllëqet e kapacitetit tonë në mënyrë evropiane”, deri në vitin 2030 dhe kjo do të thotë “bashkëpunim në shkallë të madhe, gjithë-evropian” për të adresuar boshllëqet në fushat prioritare, të tilla si mobiliteti ushtarak, investimet në mbrojtjen ajrore dhe anti-raketore, në sistemet e artilerisë, municione dhe raketa, dronë, në përdorimin e inteligjencës artificiale ushtarake ose kompjuterëve kuantikë. “Kostoja dhe kompleksiteti i projekteve në shkallë të madhe tejkalojnë shumë aftësinë e çdo shteti anëtar,” tha Presidentja e Komisionit, prandaj theksoi se duhet të forcohen furnizimet e përbashkëta.
Prioriteti i tretë dhe “më strategjik” për mbrojtjen evropiane, është Ukraina. Siç tha Presidentja e Komisionit, “duhet ta bëjmë Ukrainën të mjaftueshme – si një ‘hardhuc çeliku’ – në mënyrë që të jetë e vështirë për një pushtues të mundshëm.” BE ka investuar tashmë rreth 50 miliardë euro në mbështetje ushtarake dhe ka trajnuar më shumë se 73,000 ushtarë ukrainas, ndërsa mbështetja për perspektivën e anëtarësimit të Ukrainës në BE mbetet e fuqishme. Von der Leyen njoftoi gjithashtu se do të krijohet një Task Forcë e përbashkët me Ukrainën, e cila do të koordinojë mbështetjen ushtarake të BE-së dhe të shteteve anëtare.
Prioriteti i katërt ka të bëjë me forcimin e bazës së industrisë mbrojtëse të Evropës. Sot shumica e investimeve mbrojtëse shkojnë jashtë Evropës dhe kjo prirje duhet të ndryshojë, duke filluar me investime në Evropë, tha Von der Leyen. Sidoqoftë, ajo pranoi se baza e industrisë mbrojtëse të Evropës ende ka dobësi strukturore: nuk është ende e aftë të prodhojë sisteme dhe pajisje mbrojtëse në sasinë dhe shpejtësinë që kërkojnë shtetet anëtare dhe mbetet tepër e fragmentuar me faktorë dominues kombëtarë që furnizojnë tregjet e brendshme. Sipas Komisionit, kompanitë kanë nevojë për një rrjedhë të qëndrueshme me porosi shumëvjeçare për të drejtuar investimet e tyre. Për këtë qëllim, “do të krijojmë një Mekanizëm Evropian të Shitjes Ushtarake”, tha Von der Leyen.
Së fundmi, Presidentja e Komisionit tha se “ne jemi plotësisht të angazhuar për të bashkëpunuar me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara. Siguria jonë është e pandashme. Kjo është arsyeja pse ne po punojmë për të hapur rrugë të reja për sigurinë me Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerë të tjerë në Evropë, në lagje tonë ose brenda G7-së. Nga Kanadaja deri në Norvegji. Dhe madje aq larg sa India dhe pjesë të tjera të Azisë”. (18/3/2025)