Bruksel/Madrid – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kërkoi të martën zv/presidentin ekzekutiv për Tranzicion të Pastër, të Drejtë dhe Konkurrues, si dhe portofolin e Konkurrencës për zëvendëspresidenten e tretë të Qeverisë së Spanjës dhe ministren për Tranzicion Ekologjik, socialistja Teresa Ribera.
Liderja gjermane bëri të njohur të martën në selinë e Parlamentit Evropian në Strasburg (Francë) listën e anëtarëve dhe përgjegjësive të Kolegji të ri të Komisionerëve të cilët duhet të konfirmohen, një nga një, nga Europarlamenti dhe, më pas, në tërësi në seancën plenare.
“Gjithashtu si përgjegjëse për Konkurrencën, ajo do të drejtojë punën për të orientuar Evropën drejt objektivave të Paktit të Gjelbër dhe për të dekarbonizuar dhe industrializuar ekonominë në të njëjtën kohë,” shpjegoi presidentja e Komisionit në konferencë për shtyp.
Në fushën e Konkurrencës, puna e Ribera do të konsistojë në mbikëqyrjen e teknologjive të mëdha dhe të sigurojë që të zbatohen rregullat e reja evropiane të shërbimeve dhe tregjeve digjitale, ndërsa në çështjet e tranzicionit ekologjik dhe social sfida e saj kryesore do të jetë të pajtojë ambiciet klimatike të Paktit të Gjelbër Evropian me kërkesat e sektorit agro-bujqësor.
Ribera është thirrur të jetë pjesa e fortë e socialistëve evropianë në një Komision të spostuar djathtas, pasi Von der Leyen i dha një nga postet më influente të ekzekutivit komunitar.
Në një deklaratë për mediat në Strasburg pas marrjes së lajmit, Ribera festoi që Von der Leyen i ka besuar zv/presidenten ekzekutive për Tranzicion të Pastër, të Drejtë dhe Konkurrues, si dhe portofolin e Konkurrencës, përgjegjësi që e merr “me shumë kënaqësi” dhe si një “nder” të cilin e pranon “me përulësi dhe përkushtim”.
Ministrja ende e qeverisë së Spanjës theksoi se propozimi i konservatores gjermane “reflekton mirë sfidat e mëdha” që BE-ja ka përpara dhe shpresoi që nga portofoli që i është ngarkuar do të mund të “kontribojë në mënyrë shumë të rëndësishme në konkurrencën evropiane duke menduar për njerëzit dhe për kufijtë mjedisorë duke punuar së bashku me pjesën tjetër të anëtarëve të Kolegjit”.
“Është një mundësi e madhe për të vazhduar ndërtimin e ëndrrës evropiane,” tha Ribera, e cila u shpreh “shumë mirënjohëse për këtë ftesë për të marrë këtë përgjegjësi që trajton sfidat ekonomike dhe industriale të komunitetit të biznesit evropian pa humbur nga rëndësia vendosjen e njerëzve në qendër të kësaj transformimi”.
Gjithashtu, ajo theksoi punën “e shkëlqyeshme” të paraardhëses së saj si përgjegjëse për Konkurrencën, danezes liberale Margrethe Vestager, për të cilën pranoi se ka “shumë për të mësuar”. “Jemi në kontakt dhe vlerësojmë njëra-tjetrën,” pranoi ajo.
Ndërkohë, presidenti i Qeverisë së Spanjës, Pedro Sánchez, ka përgëzuar Riberën në rrjetin social X dhe ka theksuar se me emërimin e saj “Spanja arrin kulmin më të lartë të ndikimit që ka pasur ndonjëherë në Bruksel”.
Kreu i ekzekutivit spanjoll theksoi se “vendosmëria dhe udhëheqja” e Riberës në Qeverinë e Spanjës u bënë “shembull për të gjithë” dhe tregoi se tani do të mund “të mbrojë ato vlera të njëjta nga zemra e Evropës”.
“Me emërimin tënd, Spanja arrin kulmin më të lartë të ndikimit që ka pasur ndonjëherë në Bruksel, dhe BE-ja fiton një udhëheqëse të jashtëzakonshme. Do të na mungosh shumë,” theksoi ai. (17 shtator)