BE mbështetje ndërmarrjeve novatore në Shqipëri

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë përuroi në Tiranë, së bashku me partnerët dhe Team Europe nisjen e Challenge Fund 2023-26.

Në fazën e tij të dytë, fondi do të mbështesë start-up-et shqiptare, mikro-bizneset, sipërmarrjet e vogla dhe ato të mesme, të cilat ofrojnë zgjidhje të reja, novatore dhe teknologjike.

Ata do t’i bashkohen 400+ start-up-eve shqiptare që tashmë janë mbështetur përmes programit tonë EU4Innovation.

“Nëpërmjet Challenge Fund dhe EU4Iinnovation, ne po ndihmojmë start-up-et lokale të rriten dhe ta kthejnë në realitet potencialin e madh novator të Shqipërisë”, u shpreh shefi i Bashkëpunimit të BE-së, Hubert Perr.

Vijimi i programit të BE në Shqipëri i dedikohet suksesit të madh të “EU4Innovation”, mbështetja e BE-së për inovacionin në Shqipëri.

Prej nisjes së projektit janë mbështetur me qindra ndërmarrje të reja nga të rinj të talentuar./ (21 nëntor)

Fondet e BE për bujqësinë, mbështetje biznesit të agrumeve

Fruti i mandarinës falë punës mbresëlënëse të fermerëve shqiptarë dhe mbështetjes së fermave të tyre me fonde të Bashkimit Evropian për Bujqësinë tashmë është produkt që po gjen vend në tregjet e BE-së.

Ervis Pashaj në Konispol, Sarandë, 250 kilometra në jugperëndim të Tiranës, është një ndër fermerët kultivues të mandarinës në Shqipëri i cili është mbështetur përmes programit IPARD II, për pajisjen e pemëtores me rrjeta antibreshër si edhe zhvillimin e mekanikës bujqësore.

Me një sipërfaqe prej 1,8 ha, Ervisi arrin një prodhim prej 150 tonë mandarina në vit, destinuar kryesisht për tregun e jashtëm.

Shqipëria është një ndër prodhueset kryesore të agrumeve në rajon, ku prodhimi ka ardhur duke u rritur nga njëri vit në tjetrin.

Sipas të dhënave të fundit nga INSTAT, për vitin 2022 prodhimi arriti në 55 118 tonë./ (21 nëntor)

BE mbështetje arsimit profesional në Shqipëri

Arsimi profesional në Shqipëri është shpallur prioritet nga qeveria shqiptare, ndërkohë që partneritete të shumta po vijnë në ndihmë për të adresuar sfidat në këtë drejtim.

Programi INTERVET WB, financuar nga BE-ja është projekt pilot trevjeçar që synon ndërkombëtarizimin e sistemeve të arsimit profesional në Ballkanin Perëndimor. Nxënësit nga shkollat profesionale nga vendet në proces anëtarësimi, u inkurajuan të aplikonin për praktika mësimore në 8 shtete anëtare të BE-së.

Në Shqipëri, Ilaria, nxënëse e vitit të tretë në Shkollën Ekonomike Teknike Profesionale të Tiranës, e shfrytëzoi mundësinë dhe ajo zhvilloi aftësitë e saj në qendrën e trajnimit profesional SEPR, një nga institucionet më të vjetra dhe më të mëdha të Francës.

Programi INTERVET WB filloi në vitin 2020, duke shpallur qysh atëherë 15 thirrje për aplikime për nxënës dhe mësues në Shqipëri. Të drejtën e aplikimit në këto thirrje e kanë pasur tridhjetë e pesë shkolla të arsimit profesional. Nga afërsisht 1000 aplikime të pranuara, janë zgjedhur 100 të rinj dhe 21 mësues për të përfituar nga praktika e punës, shkollat verore ose mundësitë e punës në vende të BE-së./ (21 nëntor)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.