Mbi 20 mijë familje do të pajisen me panele diellore
Qeveria do të ndihmojë familjet dhe bizneset e mëdha që të investojnë në panele diellore, si një mënyrë për t’u përballur me krizën energjetike.
Në përputhje me Strategjinë Kombëtarë të Energjisë dhe Planin Kombëtar për Energjinë dhe Klimën, janë parashikuar skema nxitëse për reduktimin e konsumit të energjisë elektrike për abonentët familjarë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur zbatimin e programit për subvencionim për çdo familje që do të aplikojë për një njësi diellore për ngrohjen e ujit.
Zëvendëskryministrja Belinda Balluku deklaroi se “synohet të arrihet në një target mbi 20 mijë abonentë familjarë që do të pajisen me panele diellore për ngrohjen e ujit.”
Balluku theksoi se “ky program do të luajë në të ardhmen një rol të rëndësishëm për sa i përket gjenerimit të prodhimit të energjisë nga familjarët dhe me më pak emetime.”
Ajo nënvizoi se “dy mijë njësitë e para gjeneruese do të ezaurohen brenda vitit 2022” dhe se “në janar 2023 do të hapet një fazë tjetër e programit.”
“Synimi ynë është të arrijmë 10 mijë njësi gjeneruese deri më 31 mars. Ne do të verifikojmë që njësia është në gjenerim,” shtoi ajo.
Taskforca për Energjinë do të jetë në terren për të siguruar se të gjithë hapat e planit për përballimin e krizës së energjisë do të përmbushen./ (5 tetor 2022)
Subvencionimi për familjet deri në masën 70%
Më 1 tetor u hap gara mes subjekteve të interesuara për të ofruar panelet e prodhimit të energjisë diellore për ngrohjen e ujit dhe instalimin e tyre.
Aplikimi, që do të vazhdojë deri më 18 tetor, bëhet online dhe më pas do të listohet një grup i subjekteve që përmbushin kushtet teknike dhe kushtet financiare dhe çmimin tavan, i cili duhet të jetë kostoja e çdo njësie që do të instalohet në shtëpitë e familjarëve.
Pasi të përfundojmë fazën e parë, më 1 nëntor agjencia do të ketë një listë të konsoliduar të subjekteve që ofrojnë shërbimin.
Skema për nxitjen e përdorimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit nga konsumatorët familjarë synon subvencionimin deri në masën 70% të kostos nga Agjencia për Eficencën e Energjisë.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE), kjo masë synon reduktimin e konsumit të energjisë elektrike, përmirësimin e furnizmit me ujë të ngrohtë dhe reduktimin e emetimeve të CO2.
MIE informon se konsumatorët familjare duke ngrohur ujin përmes paneleve diellore kursejnë 20% të faturës së energjisë elektrike.
Konsumatorët familjarë që do aplikojnë për përfitim mase mbështetëse do mund të marrin shërbimin vetëm në një nga subjektet e publikuara nga Agjencia e Eficencës së Energjisë.
Qytetari do të zgjedhë një nga subjektet nga listat dhe do të kryejë vetëm pagesën prej 30%. Pasi të futet në punë kjo njësi gjeneruese, subjekti që ka lidhur kontratën me qytetarin do të kompensohet nga agjencia me 70% të vlerës./ (3 tetor 2022)
Diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë
Diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë po shihet me interes nga sipërmarrja private vendase dhe e huaj dhe po rrit investimet në parqet fotovoltaike duke mundësuar jo vetëm prodhimin e energjisë, por edhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjen e mjedisit.
Sipas statistikave zyrtare, prodhimi i energjisë nga parqet fotovoltaike, po vjen në rritje të qëndrueshme. Në total këto impiante prodhuan 22,618 Mwh duke shënuar rritje në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku prej këtyre impianteve u prodhua 21,107 Mwh.
Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, rreth 3,66 milionë Mwh energji elektrike u prodhuan gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti nga të gjithë burimet gjeneruese në vend. Prodhimi u dominua nga hidrocentralet privatë me 53,7% të energjisë totale, ndryshe nga viti i kaluar, ku për të njëjtën periudhë energjia më e madhe u prodhua nga hidrocentralet e kaskadës së Drinit.
Konsumi total i energjisë për 6-mujorin e parë të vitit arriti në rreth 4,25 milionë Mwh, një nivel i njëjtë me atë të konsumuar në periudhën janar-qershor të vitit të kaluar.
Ndërkaq, bashkia e Tiranës ka nisur zbatimin e projektit për tarracat me panele fotovoltaike, të cilat jo vetëm që do të prodhojnë energji të pastër, por njëkohësisht do të ulin edhe kostot e saj./ (1 tetor 2022)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.