Brukseli – Qeveria federale gjermane, së bashku me shtete të tjera të BE-së, po angazhohet për një kontroll më të rreptë të shitësve me pakicë online, si kompanitë kineze Temu dhe Shein. «Ne nuk mund të pranojmë më që çdo ditë të mbërrijnë qindra mijëra pako me produkte që nuk përmbushin standardet evropiane», tha sekretari i shtetit në Ministrinë Federale Gjermane për Ekonomi dhe Mbrojtje të Klimës, Sven Giegold, në Bruksel.
Së bashku me Austrinë, Poloninë, Danimarkën, Holandën dhe Francën, qeveria federale po i bën presion Komisionit Evropian të vendosë me vendosmëri ndëshkime kur shitësit me pakicë online nuk respektojnë rregullat në fuqi dhe për shembull nuk ndërmarrin asgjë kur produktet në faqet e tyre klasifikohen si të pasigurta.
Platforma: Të preferuara nga konsumatorët, të kritikuara nga ekspertët
Shein dhe Temu gëzojnë një popullaritet të madh në Gjermani. Kjo për shkak të çmimeve të ulëta. Megjithatë, portalet janë të diskutueshme. Përfaqësuesit e tregtisë, politikanët dhe mbrojtësit e konsumatorit kritikojnë mes të tjerash cilësinë e produktit, mungesën e kontrollit dhe kushtet e padrejta të konkurrencës. «Kjo prek të drejtën e mjedisit, të drejtën e konsumatorit dhe natyrisht vlen edhe për çështjet si mbrojtja e të dhënave dhe të drejtat e pronësisë intelektuale», tha ish-politikani evropian Giegold. Platformat hedhin poshtë akuza të tilla.
Shtetet propozojnë të njohin dhe sanksionojnë shkeljet përmes një mbledhjeje të gjerë të të dhënave dhe një bashkëpunimi më të ngushtë të autoriteteve.
Temu dhe Shein rriten me shpejtësi
Sipas Institut për Hulumtime Tregtare të Këlnit (IFH) 43 përqind e konsumatorëve në Gjermani blejnë në tregje si Temu dhe Shein. Sipas shoqatës së industrisë BEVH, pesë përqind e porosive në tregtinë online gjermane janë nga këta dy ofrues. Këta e kanë më shumë se dyfishuar pjesën e tyre të tregut brenda një viti.