Më shumë se 650 studentë do të akomodohen së shpejti në konviktet e saporinovuara në Qytetin Studenti në Tiranë.  Drejtues të delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadori Silvio Gonzato së bashku me përfaqësues nga Ambasada Gjermane, KfW dhe autoritetet shqiptare morën pjesë në përurimin e 5 konvikteve me standarde bashkëkohore.

Këto ndërtesa moderne me eficiencë të energjisë vendosin një standard të ri duke ofruar strehim në përputhje me standardet e BE-së. Dhe ky është vetëm fillimi, pasi ky projekt synon të rikonstruktojë edhe 14 konvikte të tjera, duke përfituar mbi 2600 studentë në total.

Kjo iniciativë do t’i bëjë konviktet 40% më efikase në energji, duke ulur emetimet e CO₂ me mbi 3,000 ton çdo vit.

“Në qendër të këtij projekti janë studentët, qytetarët e ardhshëm të BE-së në Shqipëri. Duke investuar në edukimin, mjedisin dhe mirëqenien e tyre, ne po investojmë në të ardhmen e Shqipërisë. Mbështetja jonë për sistemin arsimor të Shqipërisë është gjithëpërfshirëse – shkon përtej rinovimit të konvikteve apo shkollave – ka të bëjë me nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe objekteve arsimore shqiptare, ka të bëjë me ngritjen e standardeve arsimore dhe sigurimin e të rinjve shqiptarë me zgjedhje të qëndrueshme arsimore dhe një të ardhme profesionale premtuese”, u shpreh ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.

Projekti “Rehabilitimi me eficiencë energjetike i konvikteve studentore të universiteteve publike në Shqipëri”, i financuar nga Gjermania dhe BE-ja, nëpërmjet KfW-së së bashku me Shqipërinë, përfshin rinovimin me eficiencë energjetike të 19 konvikteve studentore të kampusit të Qytetit Studenti I, në Tiranë. (4 nëntor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.