Kalaja e Ishmit në Durrës, 35 kilometra në veriperëndim të Tiranës, iu kthye komunitetit pas restaurimit të kryer falë programit EU4Culture të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë përfaqësues nga Delegacioni i Bashkimit Evropian, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe bashkia e Durrësit.
Kalaja, e ndërtuar në vitet 1572-1574 u shpall monument i kategorisë I në vitin 1977.
Përballë hyrjes së kalasë ndodhet varri i piktorit të famshëm shqiptar, Ibrahim Kodra.
Kjo kala u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019 dhe ishte në gjendje kritike para restaurimit.
Punimet përfshinë muret fortifikuese dhe vijuan me restaurimin dhe konsolidimin e terrenit dhe peizazhit në brendësi të kalasë.
Gjatë ceremonisë u shpall edhe thirrja e 3-të publike për propozime të EU4Culture, e cila synon të promovojë dhe mbështesë rritjen sociale dhe ekonomike të komuniteteve që rrethojnë objektet e trashëgimisë kulturore të projektit.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS) në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë po zbaton programin katërvjeçar të financuar nga Bashkimi Evropian, EU4Culture: “Rijetëzimi i trashëgimisë kulturore të Shqipërisë në përgjigje të tërmetit të vitit 2019 në Shqipëri, 2020-2024”./ (29 maj)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.